Lufta me Iranin u ka kushtuar deri më tani Shteteve të Bashkuara afërsisht 37.5 miliardë dollarë, bëri të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Megjithatë, sipas ekspertëve, shpenzimet reale mund ta tejkalojnë këtë shumë.
Të lidhura
None found
Deklarata u bë gjatë një seance dëgjimore në Senat mbi buxhetin, ku senatori demokrat Dick Durbin e pyeti Hegsethin nëse parashikon një rritje të mëtejshme të kostove, tashmë që armëpushimi ndërmjet SHBA-së dhe Iranit vlerësohet se praktikisht ka përfunduar.
Hegseth shpjegoi se në përllogaritjen prej 37.5 miliardë dollarësh janë përfshirë edhe shpenzime të parashikuara deri në mbyllje të vitit fiskal, përfshirë kostot e ushqimit dhe të mbështetjes së trupave.
Vlerësimet e hartuara në mënyrë të pavarur paraqesin një faturë edhe më të lartë. Ekspertët përllogaritën në mars se konflikti po u kushtonte taksapaguesve amerikanë më shumë se 890 milionë dollarë çdo ditë, ndërsa Pentagoni e çoi vlerësimin e përgjithshëm në 29 miliardë dollarë gjatë muajit maj.
Një analizë paraprake e Center for Strategic and International Studies (CSIS) vlerëson se shpenzimet e Departamentit amerikan të Mbrojtjes kanë arritur në rreth 40 miliardë dollarë. Në këtë shifër nuk përfshihen disa kosto operative të financuara nga buxheti i përgjithshëm i mbrojtjes për vitin fiskal 2026.
