Mbrëmjen e 25 gushtit, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Belgjikë, ku një konflikt për një vend parkimi, është kthyer në tragjedi.
Sipas mediave belge, raportohet se një emigrant shqiptar, baba i tre fëmijëve, u qëllua për vdekje me armë nga një person me të cilin po debatonte ashpër.
Emri i viktimës ende nuk është publikuar nga autoritetet dhe as dinamika e ngjarjes, apo nëse ka pasur motive të tjera të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së diel (25 Gusht), në rrugën “Blijde Inkomststraat”, në Machelen, një komunë periferike e Brukselit.
Policia belge e identifikoi autorin e dyshuar si një banor të zonës, i cili ishte fqinj i shqiptarit.
Pas krimit, ai është arrestuar dhe po i nënshtrohet hetimeve.
Dy personat ishin në konflikt për një kohë të gjatë mes tyre, për një vend parkimi, referuar dëshmive paraprake të banorëve vendas dhe të njohurve të viktimës dhe autorit.
Policia është ende duke hetuar dhe priten të zbardhen identitetet dhe dinamika e ngjarjes.