Bankat europiane po përgatiten për pasoja dhe sanksione të reja, pasi Rusia urdhëroi futjen e trupave në rajonet e shkëputura të Ukrainës lindore.
Banka HSBC dha paralajmërimin për efektet zinxhir infektuese në treg, ndërsa Raiffeisen Bank International e Austrisë tha se ishte duke hartuar “plane krize”.
Ambasadorët e Bashkimit Europian në Bruksel po përgatiten të diskutojnë një paketë më të gjerë sanksionesh, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi futjen e trupave në Ukrainën lindore. Ministrat e jashtëm të BE-së mund të vendosin për sanksionet pas një takimi, që do të mbahet në Paris këtë pasdite.
Shefi i HSBC, një nga bankat më të mëdha të Evropës, tha të martën se ishte i shqetësuar për rrezikun e efekteve zinxhir në tregjet globale nga kriza e thelluar në Ukrainë, megjithëse ekspozimi i drejtpërdrejtë i bankës ishte i kufizuar.
“Është e qartë se ekziston mundësia e infektimit ose e ndonjë efekti dytësor, por do të varet nga ashpërsia e konfliktit dhe ashpërsia e hakmarrjes nëse ka një konflikt,” tha Noel Quinn për Reuters në një intervistë.
RBI, e cila ka operacione të mëdha në Rusi dhe Ukrainë, tha se ndërsa biznesi tani ishte normal, “në rast të një përshkallëzimi, do të hyjnë në fuqi planet e krizës, që banka ka përgatitur gjatë javëve të fundit”.
Aksionet e huadhënësit austriak ranë me 7% të martën në drekë.
Indeksi i aksioneve bankare evropiane ra me 1.2%, me një tkurrje më të thellë se reduktimi prej 0.8% i indeksit Euro Stoxx.
Banka ING e Holandës, e cila ka një prani të madhe në Rusi, tha: “Një konflikt i mëtejshëm i përshkallëzuar mund të ketë pasoja të mëdha negative”.
Teksa politikëbërësit që përpiqen të vendosin paketa të përbashkëta të sanksioneve, bankat gjermane thanë se duhet të sigurohet që sanksionet të jenë “të sakta”, duke hequr çdo hapësirë për interpretim që mund ta vështirësojë zbatimin e tyre nga firmat financiare.
Detajet janë të rëndësishme sepse paqartësitë do të rrezikonin dënime të ashpra.
“Për bankat, është thelbësore që sanksionet të formulohen në një mënyrë mjaft të saktë, (dhe) të mos lënë asnjë pyetje të hapur për interpretim,” tha shoqata gjermane e bankave në një deklaratë.
Për momentin, bankat nuk kanë shumë për të thënë, derisa sanksionet të bëhen konkrete. “Ne po monitorojmë situatën,” tha një zëdhënës i Federatës Europiane të Bankave në Bruksel./Monitor