Shumica e izraelitëve mendojnë se kryeministri i tyre, Benjamin Netanyahu, nuk duhet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas një sondazhi të publikuar mbrëmë në Kanalin 12, 52 për qind e izraelitëve mendojnë se ai nuk duhet të kandidojë, krahas 41 për qind që mendojnë se duhet të kandidojë dhe 7 për qind që nuk janë të sigurt.
Në pyetjen se kush duhet të udhëheqë partinë e Netanyahut, Likud, nëse nuk është ai, 48 për qind e të anketuarve thanë se nuk janë të sigurt ose se asnjë nga opsionet e ofruara nuk është e përshtatshme, raporton timesofisrael.
Kandidati që mori më shumë mbështetje ishte ish-shefi i Mossad, Yossi Cohen, me 10 për qind, pastaj ministri për çështjet strategjike të vendit Ron Dermer, ministri i Mbrojtjes Israel Katz, ministri i Drejtësisë Yariv Levin, kryetari i Knesset Amir Ohana, ministri i Ekonomisë Nir Barkat, ministri i Jashtëm, Gideon Sa’ar, ministri i Bujqësisë, Avi Dichter, ministri i Energjisë, Eli Cohen dhe ministrja e Transportit, Miri Regev.
Ndërsa, Eli Cohen është politikan izraelit, ish-zbulues dhe diplomat dhe ka qenë shef i agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad nga viti 2016 deri më 2021. Në pyetjen se kush duhet të udhëheqë bllokun e partive që i kundërshtojnë Netanyahu në zgjedhjet e ardhshme, 44 për qind e të anketuarve thanë se duhet të jetë ish-kryeministri, Naftali Bennett, ndërsa 16 për qind thanë kryetari i partisë Yesh Atid, Yair Lapid.
