Vdekja e një vajze të mitur gjatë një prove klinike me një terapi eksperimentale për modifikimin gjenetik ka nxitur një nga universitetet më të njohura mjekësore të Kinës të hapë hetim. Ngjarja ka shtuar shqetësimet për mënyrën se si mbikëqyren kërkimet biomjekësore dhe respektohen kriteret etike në vend.
Të lidhura
None found
Shkolla e Mjekësisë pranë Universitetit Shanghai Jiaotong bëri të ditur ngritjen e një grupi pune, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të plotë provën klinike të realizuar vitin e kaluar në Spitalin Xinhua, së bashku me një studim shkencor që lidhet me rastin.
Vendimi për hetimin erdhi disa ditë pas publikimit të një raporti nga revista amerikane Science dhe platforma Retraction Watch. Sipas këtij raporti, prova klinike kishte përfunduar pa sukses dhe zhvillimi i trajtimit ishte financuar pjesërisht nga prindërit e vajzës, të cilët thonë se paguan rreth 860 mijë dollarë.

Familja deklaron se mjekët nuk e kishin informuar për mundësinë që terapia të shkaktonte pasoja fatale. Prindërit shpresonin që ndërhyrja të ndreqte defektin gjenetik përgjegjës për vonesat në zhvillimin e vajzës.
Vajza ishte diagnostikuar me sindromën e rrallë Snijders Blok-Campeau, një çrregullim gjenetik që sjell probleme neurologjike dhe zhvillimore. Për të kërkuar trajtim, familja iu drejtua neuroshkencëtarit të njohur Qiu Zilong, i cili kishte krijuar një terapi të personalizuar përmes teknologjisë së avancuar të modifikimit gjenetik “base editing”.
Raporti thekson se ajo do të bëhej personi i parë në botë që do ta merrte një terapi të këtij lloji drejtpërdrejt në tru. Përpara aplikimit te vajza, ishin zhvilluar eksperimente te minjtë dhe majmunët, ndonëse disa shkencëtarë kanë ngritur dyshime për besueshmërinë e të dhënave paraprake.
Pak ditë pas marrjes së trajtimit, vajza pati temperaturë të lartë dhe dëmtime të veshkave. Ajo u transferua në terapi intensive, por nuk arriti të mbijetonte.

Nga shqyrtimi i komitetit etik të spitalit rezultoi se vdekja ishte “qartësisht e lidhur” me terapinë eksperimentale. Pavarësisht këtij përfundimi, ndëshkimet disiplinore për personat përgjegjës ishin të kufizuara. Mjekët dhe institucionet përkatëse nuk e bënë publik rastin, ndërsa rezultatet e një studimi të lidhur me të u publikuan në revistën prestigjioze Nature.
Në shtator 2025, Spitali Xinhua u gjobit nga autoritetet lokale të shëndetësisë me rreth 3.600 dollarë. Masa u vendos pasi prova klinike nuk ishte regjistruar siç duhej dhe institucioni nuk kishte garantuar mbikëqyrjen e nevojshme. Ndaj njërit prej mjekëve përgjegjës u dha vetëm një paralajmërim verbal.
Vetëm disa muaj më vonë, prindërit zbuluan se Nature kishte botuar një studim të ekipit kërkimor për korrigjimin e mutacionit gjenetik që shkaktonte sëmundjen e vajzës. Në artikull nuk përmendej as prova te njerëzit dhe as vdekja e saj. Familja kërkoi që publikimi të tërhiqej dhe që rasti të hetohej, por universiteti nuk e pranoi kërkesën.
Nature deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për kryerjen e një prove klinike te njerëzit dhe njoftoi se po shqyrton shqetësimet e ngritura. Redaksia u shpreh gjithashtu e tronditur nga njoftimi për vdekjen e fëmijës dhe nga rrethanat në të cilat ishte realizuar trajtimi.

Ngjarja ka rihapur diskutimet për etikën e kërkimeve gjenetike në Kinë, vite pas skandalit të vitit 2018. Në atë kohë, shkencëtari He Jiankui njoftoi lindjen e foshnjave të para me ADN të modifikuar gjenetikisht. Autoritetet kineze premtuan më pas forcimin e kuadrit rregullator, por ekspertët vlerësojnë se rasti i fundit dëshmon se vazhdojnë të ketë probleme serioze me transparencën, kontrollin dhe përgjegjësinë.
Në muajin maj, Pekini miratoi rregulla të reja për teknologjitë e avancuara biomjekësore. Masat parashikojnë mbikëqyrje më të fortë të provave klinike dhe raportim të detyrueshëm të efekteve anësore. Megjithatë, sipas ekspertëve, sfida kryesore mbetet ruajtja e ekuilibrit ndërmjet përparimit të shpejtë shkencor dhe garantimit të sigurisë së pacientëve.
