Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaia Kalas, deklaroi të martën se BE-ja do të vazhdojë të godasë ekonominë e luftës së Rusisë dhe se paketa e radhës e sanksioneve kundër Moskës pritet të jetë gati muajin e ardhshëm.
Gjatë një video-konference me Këshillin Evropian, Kalas theksoi se “uniteti mes liderëve të BE-së ishte i dukshëm” dhe se ajo ka vendosur sigurinë e Ukrainës dhe sanksionet ndaj Rusisë në krye të axhendës për takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes së BE-së, javën që vjen.
“Nuk mund t’i besojmë presidentit rus për asnjë premtim apo angazhim,” shkroi Kalas në një postim në rrjetet sociale. “Prandaj, garancitë e sigurisë duhet të jenë të forta dhe të besueshme, për të parandaluar që Rusia të rimblidhet dhe të sulmojë sërish.”