Në vitin 2023, Bullgaria prodhoi më shumë municion sesa pjesa tjetër e Europës së bashku, tha Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë i vendit Bogdan Bogdanov gjatë një takimi të Komisionit parlamentar për Politikat Ekonomike dhe Inovacionin në Bullgari.
“Në përgjithësi, një pjesë e madhe e asaj që prodhohet në Bullgari është e nevojshme si për partnerët tanë euroatlantikë ashtu edhe në Ukrainë,” shtoi Bogdanov. Ministri bullgar vuri në dukje se kompanitë bullgare kanë paraqitur aplikime në programet evropiane për të zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese.
Përveç kompanive private, edhe VMZ Sopot në pronësi të shtetit po kërkon financime nga Bashkimi Evropian për projektet e veta, sqaroi ai. Ai kujtoi se në një takim në parlament, kryetari i komisionit parlamentar të mbrojtjes dhe krerët e partive proqeveritare kishin siguruar se Bullgaria mund të ndërtonte vetë një fabrikë baruti. Tashmë janë duke u konsideruar fusha specifike për këtë qëllim dhe janë ofruar teknologji të specializuara. Bogdanov vuri në dukje se një komitet është formuar për të përfunduar një raport deri në fund të marsit mbi propozimet e ndryshme për ndërtimin e një fabrike shtetërore të barutit.
“Nuk ka rëndësi se çfarë kapacitetesh kemi, kërkesa e tregut në këtë pikë është e madhe dhe do të ketë mjaft vende pune si për kompanitë private ashtu edhe për ato shtetërore”, theksoi ai.
Bogdan Bogdanov tha se për ndërtimin e një fabrike të tillë duhet të vendosë parlamenti bullgar. Ai vuri në dukje se ndërtimi i tij do të zgjasë tre ose katër vjet, që do të thotë se ka kohë të mjaftueshme për të planifikuar investimin, qoftë nga dividenti i VMZ ose nga një burim tjetër.