Irani ka konfirmuar se ka shënjestruar bazën ajrore al Udeid në Katar, pas “agresionit të hapur ushtarak” të “regjimit kriminal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kjo, si një hakmarrje ndaj sulmeve amerikane në centralet bërthamore në Iran gjatë fundjavës.
Në një deklaratë të ndarë nga Garda Revolucionare Iraniane, Teherani tha se “nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare në asnjë rrethanë”.
Burime të larta diplomatike në rajon më kanë thënë se Irani ka shënjestruar bazën ajrore më të madhe të Amerikës në Lindjen e Mesme – al Udeid në Katar, ndërsa raportet thonë se SHBA dhe vendet e Gjirit në rajon, kishin marrë informacione paraprake përpara se Irani të niste raketat e tij.
Kjo është një situatë shumë e rrezikshme dhe e paparashikueshme në të gjithë rajonin.
Por, nëse Irani u ka dhënë paralajmërime paraprake SHBA-së dhe aleatëve të saj të Gjirit, kjo mund të ofrojë një mundësi për të çtensionuar krizën, varësisht nga mënyra se si Presidenti Trump dhe zyrtarët e tij të mbrojtjes do të zgjedhin të reagojnë tani.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së po “monitorojnë nga afër” kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore al Udeid në Katar, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, Donald Trump është gjithashtu në Dhomën e Situatave me ekipin e tij tani, raportojnë mediat amerikane. Presidenti ishte gjithashtu në këtë zyrë edhe gjatë fundjavës, kur urdhëroi sulmet amerikane ndaj Iranit, të cilat çuan në këtë përgjigje.