Gjermania drejt shtrenjtimit të mishit, çfarë pritet të vendos qeveria vendase

Aty ku mbarështohen kafshët në Gjermani do duhet të ketë kushte më të mira në të ardhmen. Por kush e financon këtë rritje të kostos për kushte më të mira? Ekspertët duan më shumë pjesëmarrje të konsumatorit në kostot për mirëqenien e kafshëve. Komisioni për të Ardhmen e Bujqësisë, (ZKL)i thirrur nga qeveria gjermane propozoi së fundmi rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet e mishit me disa faza. Një rritje e tvsh-së për produkte të mishit nga 7% si tani është e thjeshtë në realizim, argumentoi ky komision i vendosur nga qeveria gjermane në një dokument që e ka analizuar televizioni ARD.

Nga ana tjetër komisioni rekomandon për të mos e rënduar kuletën e konsumatorëve një “reformë më të gjerë të tvsh-së” nga e cila “mund të reduktohet tatimet për produke të tjera. Për shembull uljen e tvsh-së për drithërat dhe frutat e perimet. “Në plan afatmesëm do duhen më shumë mjete për ristrukturimin e mbarështimit të kafshëve që përdoren për ushqim, për të përfshirë një numër në rritje të fermave pjesëmarrëse“, thuhet në dokument. Aty kërkohet që të kompensohen familjet me të ardhura më të ulta, “sepse ato me shpenzimet relativisht të larta për artikujt ushqimorë janë të prekura në mënyrë joproporcionale” sipas komisionit.

Ulet konsumi i mishit në Gjermani

Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir e ka përshëndetur këtë propozim. ZKL rekomandon rritjen me disa faza të tvsh-së për mishin e produktet e tij e nga ana tjetër të ulet në zero ajo për perimet dhe frutat. Politikani i Të Gjelbërve është shprehur, se kjo “do të kishte një efekt orientimi drejt shëndetit më të mirë dhe mbështet kështu fermerët”. Por Shoqata e Fermerëve Gjermanë, DBV e ka hedhur poshtë propozimin. “Rritjen e tvsh-së mbi atë aktualen apo edhe një cent për mirëqenien e kafshëve ne e refuzojmë”, deklaroi presidenti i saj, Joachim Rukwind. “Fondet për ristrukturimin e mbarështimit të kafshëve duhet të vijnë nga federata.” Por duket se ka shumë pak gjasa që qeveria gjermane të reagojë ndaj një kërkese të tillë, për shkak të situatës së vështirësuar buxhetore në Gjermani.

Ndërkohë vazhdon trendi i reduktimit të konsumit të mishit në Gjermani. Sipas një statistike, vitin e kaluar çdo gjerman ka konsumuar mesatarisht 51,6 kg mish, një rënie dukshëm më e ndjeshme kjo dhe sasia më e ulët që nga fillimi i matjeve në këtë fushë. Ministri gjerman i Bujqësisë e shikon këtë si shenjë pozitive dhe një konsolidim i trendit prej vitesh. “Shumë vetë sot hanë më pak mish, por në mënyrë më ekologjike”. Gjermanët kujdesen më shumë për shëndetin e tyre, efektin që ka konsumi i mishit për mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve, sipas Özdemir. Më së shumit është ulur konsumi i mishit të gjedhit me 5%, në 8,9 kg për person, ndërsa konsumi i mishit të pulës e gjelit ka shënuar rritje.

Bundestagu ndërkohë debatoi për herë të parë të premten (11.04.) strategjinë e ushqimit të qeverisë gjermane të publikuar që në janar. Sipas strategjisë së re të qeverisë gjermane, të rinjtë dhë fëmijët në Gjermani duhet të ushqehen më shëndetshëm. Sidomos në kopshte shkolla ushqimi në të ardhmen do të përmbajë më pak mish dhe produkte sheqeri e më shumë perime e fruta. Më tej do të vazhdojë ndalimi i reklamave për produkte jo të shëndetshme me shumë sheqer, dhjamë apo kripë dhe do kërkohet futja e mëtejshme e vlerës nutricioniste të ushqimit në nivel të BE. Ministri i Bujqësisë, Cem Özdemir e mbrojti këtë strategji, por opozita  e CDU, por edhe partneri i vogël liberal në qeveri u shprehën me kritika për paternalizëm ndaj qytetarëve./ D.M


Shtuar 16.04.2024 20:17