Autoritetet në Spanjë kanë urdhëruar largimin e banorëve nga disa zona pranë Toledos, pasi një zjarr i fuqishëm pyjor po përhapet në këtë qytet, rreth 75 kilometra në jug të Madridit.
Të lidhura
None found
Shpejtësia me të cilën avancuan flakët bëri që shërbimet e emergjencës t’u dërgonin qytetarëve njoftime në telefonat celularë, përmes të cilave kërkohej evakuimi i menjëhershëm nga vendet më të rrezikuara.
Banorët e tre fshatrave janë evakuuar tërësisht. Ndërkohë, në një fshat të katërt, qytetarët janë udhëzuar të mos dalin nga shtëpitë dhe t’i mbajnë të mbyllura dyert e dritaret deri në një njoftim të ri.
Vatra pranë Toledos është zjarri më i fundit që ka përfshirë Spanjën. Prej disa ditësh, qindra zjarrfikës po punojnë gjithashtu për të vënë nën kontroll një tjetër zjarr të madh, rreth 100 kilometra në veri të Madridit.
Era e fuqishme, thatësira dhe temperaturat e larta kanë krijuar kushte të favorshme për zgjerimin e vatrave, duke e mbajtur Spanjën në nivel të lartë alarmi nga zjarret pyjore. Autoritetet po e ndjekin situatën në vazhdimësi dhe u kanë kërkuar qytetarëve të zbatojnë masat e sigurisë dhe urdhrat për evakuim.
