Dy prej terminaleve kryesore për eksportin e grurit në portin rus të Novorossiysk pësuan dëmtime nga një sulm i gjerë ukrainas me raketa dhe dronë.
Të lidhura
None found
Operacioni i zhvilluar gjatë natës la të paktën tre persona të vdekur, përfshirë një fëmijë 8-vjeçar, si dhe 24 të plagosur, bënë të ditur zyrtarët lokalë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se në operacionin kundër bazës ruse në Detin e Zi u përdorën raketa, avionë reaktivë dhe dronë detarë. Ushtria ukrainase pretendoi gjithashtu se goditi katër anije luftarake ruse, mes të cilave dy fregata, ndërsa Rusia nuk është shprehur lidhur me këto pretendime.
Goditjen e terminalit të saj në Novorossiysk e konfirmoi një kompani e madhe që merret me tregtinë e drithërave. Edhe një kompani tjetër u bëri të ditur Reuters dhe medias ruse RBK se terminali i saj ishte dëmtuar.
Porti i Novorossiysk renditet ndër më të mëdhenjtë në Rusi dhe është baza kryesore që i ka mbetur flotës ruse të Detit të Zi. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj flote ishte larguar nga Sevastopoli si pasojë e sulmeve ukrainase.
Në reagim ndaj dëmtimit të terminaleve, Ministria ruse e Bujqësisë njoftoi se po ndërmerr hapa për ta devijuar transportin e mallrave drejt porteve të Detit Baltik dhe Detit Kaspik, si edhe nëpërmjet korridoreve tokësore.
Pasojat e sulmit prekën edhe infrastrukturën e qytetit të Novorossiysk. Dëmtimi i tubacioneve solli ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë, ndërsa autoritetet vendosën shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Këto goditje në Detin e Zi ndodhën në një kohë kur përplasjet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar. Gjatë së njëjtës natë, Rusia ndërmori sulme ajrore kundër Ukrainës, ku humbën jetën të paktën 11 civilë.
Rusia mban vendin e parë në botë për eksportin e grurit, ndërsa së bashku me Ukrainën zë një peshë të rëndësishme në tregtinë ndërkombëtare të drithërave. Goditjet kundër porteve dhe strukturave të eksportit kanë rikthyer shqetësimet rreth furnizimit botëror me ushqime dhe ecurisë së çmimeve të drithërave.
