Fredi Beleri, eurodeputet i Demokracisë së Re, është përfshirë gjatë orëve të fundit në një përplasje politike në Greqi për shkak të komenteve të tij lidhur me Ilias Kasidiarisin dhe drejtësinë greke.
Kasidiaris, ish-deputet i Agimit të Artë, u lirua nga burgu më 15 shtator, pasi kishte vuajtur një pjesë të dënimit 13-vjeçar. Pas daljes nga qelia, ai ka paralajmëruar se synon të rikthehet në politikë.
Të lidhura
None found
Sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, Beleri e bëri deklaratën më 10 shtator në televizionin ONE, disa ditë përpara lirimit të Kasidiarisit. Gjatë diskutimit, eurodeputeti e përshkroi atë si “një nga të paktët grekë që e bëri burgun deri në ditën e fundit”.
Deklarata solli reagime të forta nga PASOK-u, partia më e madhe opozitare, e cila i kërkoi qeverisë dhe Demokracisë së Re të mbanin publikisht dhe qartësisht distancë nga qëndrimi i Belerit.
Përballë kritikave, Fredi Beleri dha një sqarim publik, në të cilin pranoi se ishte shprehur gabimisht. Ai e quajti formulimin “të pavend” dhe nënvizoi se nuk ka asnjë lidhje me Ilias Kasidiarisin apo me atë që ky i fundit përfaqëson në planin politik.
Në të njëjtën kohë, Beleri e akuzoi PASOK-un se kishte nxjerrë jashtë kontekstit një pjesë të deklaratës së tij. Ai këmbënguli se pozicioni i vet për demokracinë, institucionet dhe shtetin e së drejtës nuk lë vend për paqartësi.
Eurodeputeti kujtoi gjithashtu se, sipas tij, Demokracia e Re ishte forca politike që u përball në rrugë institucionale me Agimin e Artë dhe e çoi çështjen përpara drejtësisë. Për këtë arsye, ai theksoi se qëndrimi i tij ndaj kësaj organizate nuk mund të interpretohet në mënyrë të dykuptimtë.
Ilias Kasidiaris ka qenë ndër figurat më të njohura të Agimit të Artë dhe është dënuar si drejtues i një organizate kriminale. Gjatë viteve të qëndrimit në burg, ai vijoi të kishte prani të konsiderueshme politike dhe në rrjetet sociale, ndërsa pas lirimit ka bërë të ditur synimin për t’u rikthyer në skenën politike.
