Çfarë nënkupton vazhdimi i stërvitjeve ushtarake ruse në Bjellorusi?

Vendimin e Rusisë për të vazhduar stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, shumë vëzhgues e shohin si një hap tjetër të Moskës në përgatitjet për një sulm të gjerë ndaj Ukrainës. Në fillim Rusia pati thënë se manovrat do të përfundonin më 20 shkurt.

Vendimi për zgjatjen e stërvitjeve ushtarake ruse në Bjellorusi u konfirmua nga ministri bjellorus i mbrojtjes.

“Mbi të gjitha, ato kanë qëllim të parandalojnë luftën. Presidentët tanë shpesh flasin rreth kësaj në takimet e tyre. Ne nuk duam luftë. Por ata nuk na dëgjojnë, ose nuk duan të na dëgjojnë. Prandaj është krijuar një grup i gatshëm forcash për të reaguar nëse është e nevojshme”, tha Vitor Khrenin.

Stërvitjet e përbashkëta filluan më 10 shkurt. Ende nuk dihet se për sa kohë trupat ruse do të qëndrojnë në Bjellorusi.

Ndërkohë, televizioni i pavarur bjellorus me bazë në Poloni, Belsat, njoftoi se bombardues bërthamorë janë pozicionuar në Bjellorusi për të patrulluar qiellin mbi atë rajon.

ShBA dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësimin rreth zgjatjes së manovrave ruse. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Bjellorusisë.

“Duhet të jemi shumë specifikë rreth kostove të kësaj për Bjellorusinë. Raundi i katërt dhe e pestë i saksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian la zbrazësi në disa sektorë, kryesisht në atë të naftës dhe potasiumit. Besojmë se këta sektorë mund të jenë pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve ose të paktën të shtohen në ato që janë miratuar”, tha zoti Landsbergis.

Ekspertët amerikanë besojnë se vazhdimi i stërvitjeve ushtarake ka për qëllim t’i sigurojë Rusisë një front të tretë kundër Ukrainës.

“Padiskutim ata janë duke i ofruar Rusisë një front tjetër kundër Ukrainës, nëse ajo vendos të lëvizë ose nëse vendos të marrë Kievin”, thotë Donald Jensen nga Instituti amerikan i Paqes.

Përfshirja e Bjellorusisë në krizën aktuale nuk është befasuese, thotë analisti David Kramer.

“Ajo që kemi parë për një kohë të gjatë, veçanërisht gjatë ditëve të fundit, është se Aleksandr Lukashenko e dorëzoi tërë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bjellorusisë tek Rusia. Kjo ka filluar prej kohe, sepse mënyra e vetme e zotit Lukashenko për të qëndruar në pushtet është dorëzimi para zotit Putin dhe kërkesave të Kremlinit. Vendimi për zgjatjen e stërvitjeve në Bjellorusi për kohë të pacaktuar tregon kontrollin e zotit Putin mbi zotin Lukashenko”, thotë analisti Kramer.

Ndërkohë në Bjellorusi, për herë të parë pas disa muajsh, demonstruesit protestuan kundër ndërhyrjes ruse në politikën e Bjellorusisë./VOA


Shtuar 23.02.2022 16:06