Qeveria britanike po vlerëson mundësinë e aplikimit të tarifave doganore për automjetet elektrike që importohen nga Kina, ndërsa shtohen shqetësimet se tregu në Mbretërinë e Bashkuar po mbushet me makina të subvencionuara nga shteti kinez.
Të lidhura
None found
The Times raportoi se ministri britanik për Biznesin, Jonathan Reynolds, po përgatit një paketë masash të mundshme tarifore për automjetet elektrike kineze.
Dyshimet e autoriteteve lidhen kryesisht me mundësinë që prodhuesit kinezë të eksportojnë në Britani automjete të mbështetura financiarisht nga qeveria, duke vënë nën presion të fortë industrinë vendase.
Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi për Reuters se deri tani nuk është vendosur asnjë tarifë ndaj makinave elektrike të importuara nga Kina.
“Ne vijojmë të bashkëpunojmë ngushtë me industrinë, në mënyrë që qasja jonë të pasqyrojë interesat kombëtare të sektorit dhe të Mbretërisë së Bashkuar”, u shpreh zëdhënësi.
The Times shkruan se ministrat britanikë po analizojnë vendosjen e tarifave si një mënyrë për të zbutur efektet e tarifave të larta që Bashkimi Evropian ka aplikuar ndaj automjeteve elektrike kineze.
Një tjetër shqetësim për Londrën është politika e BE-së e njohur si “Made in Europe”, e cila synon të pakësojë varësinë e Evropës nga komponentët kinezë dhe të favorizojë produktet e prodhuara në kontinent. Sipas qeverisë britanike, kjo qasje mund të dëmtojë industrinë vendase të automobilave.
Shumë kompani britanike janë të lidhura ngushtë me zinxhirët evropianë të furnizimit dhe eksportojnë automjete ose pjesë të tyre në vendet e BE-së. Për këtë arsye, qeveria kërkon që bizneset britanike të mos mbeten jashtë këtyre rrjeteve të prodhimit.
Ministri britanik i Financave, John Healey, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mos e përjashtojë Britaninë nga nismat që synojnë mbrojtjen e industrisë evropiane ndaj konkurrencës së padrejtë kineze.
Healey ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes Britanisë dhe BE-së në fushat e teknologjisë, mbrojtjes dhe prodhimit. Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar se rregullat e reja nuk duhet të shndërrohen në pengesa të tjera për kompanitë britanike.
Burime të cituara nga BBC bëjnë të ditur se qeveria britanike synon të kufizojë pasojat ekonomike të Brexit-it dhe të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në, pa dëmtuar interesat ekonomike të vendit.
Edhe industria e automjeteve ka shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm të këtyre masave. Nissan ka deklaruar se prodhimi në Britani dhe në BE është “thellësisht i ndërthurur” dhe se kufizimi i mbështetjes publike vetëm për prodhimin brenda BE-së mund të dëmtojë konkurrueshmërinë dhe zinxhirët e furnizimit, në një periudhë kur Evropa po përshpejton kalimin drejt automjeteve elektrike.
