Një fëmijë 3-vjeçar, i cili pësoi plagë të rënda pasi dyshohet se përfundoi në kafazin e krokodilëve në një kopsht zoologjik në Britaninë e Madhe, i është nënshtruar ndërhyrjes së tij të shtatë kirurgjikale. Mjekët po përpiqen t’i rikthejnë funksionin e dorës së majtë.
Të lidhura
None found
Incidenti ndodhi më 18 qershor në kopshtin zoologjik Johnsons of Old Hurst, pranë Huntingdonit në qarkun Cambridgeshire. Sipas policisë, një 30-vjeçar dyshohet se e ngriti djalin mbi gardh dhe e hodhi në hapësirën ku mbaheshin krokodilët.
Siç raporton The Times, vogëlushi mendohet se ra nga rreth 4.5 metra lartësi përpara se të kafshohej nga një krokodil.
Fëmija ka katër javë që qëndron i shtruar në Addenbrooke’s Hospital në Kembrixh. Të mërkurën ai iu nënshtrua një operacioni të ri.
Në një mesazh të publikuar në GoFundMe, fushatë e hapur nga gjyshja e tij, prindërit njoftuan se kirurgët i kryen një transplant nervor në krahun e majtë.
“Mjekët morën një nerv nga këmba e tij për të zëvendësuar pjesën e nervit që mungonte në krahun e majtë. Shpresojmë që me kalimin e kohës ai të lidhet me indet dhe t’i rikthejë djalit tonë një pjesë të lëvizshmërisë së dorës. Do të duhen disa muaj për të kuptuar nëse operacioni ka qenë i suksesshëm”, shkruajnë ata.
Prindërit kanë bërë të ditur gjithashtu se sapo mbërriti në spital, djali iu nënshtrua një operacioni urgjent, i cili zgjati 12 orë.
Ai pësoi dëmtime serioze në tendina, nerva dhe enë gjaku, përveç frakturave dhe plagëve të rënda në të dy krahët, qafë, kokë dhe fytyrë.
Para ndërhyrjes së parë, mjekët u kishin kërkuar prindërve të firmosnin dokumente ku përfshihej mundësia e amputimit të gjymtyrëve ose nevoja për reanimim.
“Nuk e dinim nëse djali ynë do të mbijetonte. Ishte ndjesia më e tmerrshme që kemi përjetuar ndonjëherë”, rrëfyen ata.
Pavarësisht traumës së rëndë, sipas prindërve, 3-vjeçari ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm gjatë javëve të fundit.
“Katër javë më vonë, vogëlushi ynë po flet me infermierët, luan duke përdorur këmbët dhe ka filluar të buzëqeshë sërish. Jemi të mahnitur me mënyrën se si po lufton.”
Familja shpreson që ndërhyrja e fundit të jetë e fundit për momentin dhe që, nëse gjithçka ecën mirë, djali të rikthehet së shpejti në shtëpi.
Megjithatë, ai pritet të përballet me një proces të gjatë rehabilitimi, që do të përfshijë trajtim fizik dhe psikologjik. Të dy prindërit kanë pezulluar përkohësisht punën për t’u kujdesur për të.
Fushata në GoFundMe ka mbledhur deri tani më shumë se 69 mijë paund. Paratë do të shërbejnë për shpenzimet e familjes gjatë rehabilitimit dhe kujdesit afatgjatë të fëmijës.
Pas ngjarjes, pronari i kopshtit zoologjik Andrew Johnson, bashkëshortja e tij Tracey dhe djali i tyre Edward hynë në kafazin ku ndodheshin rreth 50 zvarranikë, për të shpëtuar vogëlushin.
Ndërkohë, 30-vjeçari i dyshuar u arrestua për tentativë vrasjeje. Policia e Cambridgeshire deklaroi se ai u konsiderua i papërshtatshëm për t’u marrë në pyetje për shkak të gjendjes së tij mendore dhe më pas u lirua me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Edhe autoritetet në Norfolk kanë nisur hetime për të kontrolluar nëse kujdesi ndaj të dyshuarit, i cili ishte në kopshtin zoologjik i shoqëruar nga dy kujdestarë, ishte ofruar siç duhej.
Drejtuesit e kopshtit zoologjik thanë se mendimet e tyre janë me vogëlushin dhe familjen e tij, duke shprehur shpresën që ai të shërohet sa më shpejt.
