Basha në Paris, takim me Kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez: Franca të mbështesë Kosovën për në KiE

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Paris dhe është takuar ditën e sotme me Jean-Louis Bourlanges, kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez.

Në postimin në facebook, Basha shkruan se biseduan Bourlanges për sigurinë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Europa.

Basha gjithashtu e njohu Bourlanges me rezolutën e propozuar prej tij për rindërtimin e Ukrainës. Së fundmi, Basha ka kërkuar mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Postimi i Bashës në Facebook:

Kënaqësi të pritesha sot në Asamblenë Kombëtare në Paris nga Jean-Louis Bourlanges, Kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez. Biseduam gjerësisht mbi situatën e sigurisë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Europa, ndërsa lufta e agresionit rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.

Situata në Ukrainë dhe hapat e ndërmarrë në Europë dhe SHBA në lidhje me mbajtjen përgjegjëse të Rusisë edhe për krimet dhe dëmet e shkaktuara ishin në qendër të takimit

E njoha Kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës, ku parashikohet që Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e saj të paligjshme. Në funksion të këtij qëllimi është edhe konfiskimi i aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në mbështetje të Ukrainës.

Përtej ndihmës për Ukrainën ky hap përbën edhe një mesazh të qartë ndaj agresorëve dhe atyre që përpiqen të përfitojnë prej agresionit.

Të tilla janë përpjekjet për destabilizim në rajon, ku synimet  e Moskës më mbështetjen e aleatëve të saj në Serbi janë zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimi i arkitekturës së sigurisë së krahut juglindor të NATO-s duke provokuar  një front të ri në zemrën e Aleancës.

Ndërkohë që nesër do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik  për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, kërkova mbështetjen e Francës duke nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Europës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje.

Në përfundim të takimit të përzemërt dhe të frytshëm, pata kënaqësinë ta ftoj mikpritësin të vizitojë Shqipërinë në një të ardhme të afërt.


Shtuar 26.03.2024 19:45