Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë një vendim përfundimtar, me të cilin ka pranuar pjesërisht ankesën e politikanit Ziadin Sela për kompensimin që lidhet me dhunën e ushtruar më 27 prill 2017 në Kuvend.
Të lidhura
None found
Me aktgjykimin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut detyrohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.8 milionë denarë, ose rreth 126,830 euro, si dëmshpërblim për dëmin jomaterial, përfshirë shkeljen e të drejtave personale dhe dëmtimin e rëndë të shëndetit fizik e psikik.
Megjithatë, ky kompensim është cilësuar si skandaloz, duke pasur parasysh se në padinë e tij Ziadin Sela kishte kërkuar 61 milionë denarë, apo afërsisht 1 milion euro, për dëmin e pësuar, përcjell INA.
Sipas raportimeve, arsyetimi i Apelit mbetet thuajse i njëjtë me atë të gjykatës së shkallës së parë, por trupi gjykues ka vlerësuar se shuma e përcaktuar fillimisht nga Gjykata Civile nuk ishte e mjaftueshme.
Në argumentimin juridik theksohet se shkalla e parë nuk e kishte peshuar siç duhet seriozitetin e dëmit të shkaktuar dhe se nuk i kishte marrë në konsideratë të gjitha rrethanat përkatëse që ndikojnë në caktimin e një kompensimi të drejtë dhe objektiv.
Nga shuma e përgjithshme, Gjykata e Apelit ka përcaktuar 1.500.000 denarë për dhimbjet fizike, 900.000 denarë për frikën e përjetuar, 3.000.000 denarë për dhimbjet shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aftësisë së përgjithshme jetësore, 600.000 denarë për dhimbjet shpirtërore nga shpërfytyrimi, 600.000 denarë për cenimin e dinjitetit personal, 600.000 denarë për cenimin e nderit dhe 600.000 denarë për cenimin e reputacionit.
Njëkohësisht, Apeli e ka rrëzuar si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim. /INA/
