Analiza/ Lufta Izrael-Iran, 5 arsye pse duhet patur frikë

Nuk ka rëndësi nëse është pikasur, shpallur, neutralizuar: Sulmi i Teheranit ndaj Izraelit, në natën ndërmjet 13 dhe 14 prillit, në përgjigje të sulmit ndaj konsullatës iraniane në Damask në fillim të prillit, është i destinuar të ndryshojë fatin e Lindjes së Mesme.

Nuk ka rëndësi as nëse qëllimi i ajatollahëve ishte të shkatërronin objektivat ushtarake në shkretëtirën veriore dhe kodrat e Golanit, apo thjesht t’i tregonin botës se e kanë realizuar hakmarrjen. “Premtimi i mbajtur”, quhet operacioni. Ata 170 dronë, 120 raketa balistike dhe 30 raketa lundruese të lëshuara nga Republika Islamike dhe pothuajse totalisht të kapura dhe të rrëzuara para se të preknin tokën krijuan shiun spektakolar dhe të tmerrshëm të yjeve, që pamë mbi kupolën e shenjtë të Malit të Tempullit në Jeruzalem.

Por mbi të gjitha zhbërë parimin strategjik që gjithmonë ka rregulluar marrëdhëniet midis Izraelit dhe Iranit. “Dhe ai është të shmanget konfrontimi i drejtpërdrejtë”, shpjegon Nicola Pedde, drejtor i IGS, Instituti për Studime Globale dhe ish-kreu i Kërkimeve për Lindjen e Mesme në Qendrën Ushtarake për Studime Strategjike, Itali. “Deri më sot, Irani ishte qeverisur nga një elitë e gjeneratës së parë, e cila ishte kujdesur të mos e kalonte këtë vijë të kuqe, por gjeneratat e reja që tani janë shumicë, nuk frenohen. Kjo do ta çojë edhe Izraelin drejt injorimit të asaj paradigme që deri më tani kishte lejuar që Irani të goditej kudo, por jo në shtëpi. Dhe kjo na bën të hyjmë në një fazë të re dhe të rrezikshme”. Me të paktën pesë arsye për të shpresuar se përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për të zbutur krizën, do të funksionojnë.

Kundërsulmi i pashmangshëm

Do të ketë hakmarrje izraelite, sepse kabineti i luftës e ka autorizuar, edhe pse pa vendosur se kur. “Në Iran, si në Izrael, politika është shumë e polarizuar”, shpjegon Pedde, “pavarësisht një leximi perëndimor që e paraqet atë si monolite, dhe sot në Teheran ka nga ata që po shtyjnë për një sulm të menjëhershëm, por dhe nga ata që duan ta peshojnë, duke zgjeruar sferën e aleancave rajonale. Ajo që do të bëjë ndryshimin do të jetë përmasa e sulmit”. Një sulm kibernetik pa viktima, është një version. “Nëse operacioni i Iranit ishte projektuar që të kishte vlerë të lartë politike (goditja e territorit izraelit), por pa efekt ushtarak, duke zbuluar të gjitha informacionet rreth operacionit, 72 orë përpara – në mënyrë që të mund të parandalohej dhe frenohej pa dëme apo viktima – besoj se reagimi izraelit do të jetë shumë ndryshe”. Historia na mëson se izraelitët ndjekin strategjinë e frenimit, duke demonstruar një forcë të madhe mbi kundërshtarin, për të shmangur mundësitë e sulmeve të mëtejshme, specifikon strategu ushtarak. Ashtu siç po ndodh në Gaza.

STRUKTURAT USHTARAKE DHE CENTRALET

Objektivi i një sulmi në shkallë të gjerë nga Izraeli mund të jenë strukturat ushtarake të PasdaranËve dhe zinxhiri i furnizimit të projektit bërthamor iranian, thotë Pedde. “Nuk e di me çfarë rezultatesh praktike, sepse është një rrjet që është mbrojtur fuqishëm brenda bunkerëve gjatë viteve të fundit dhe për ta goditur atë në mënyrë efektive do të kërkonte një kapacitet shumë të fortë ushtarak”. Një aksion ndaj Hezbollahut? Është një nga opsionet, por nuk do të ndodhë sipas Pedde. “Ashtu siç ishte e nevojshme që Irani të sulmonte Izraelin, është e nevojshme që Izraeli të përgjigjet në të njëjtën masë. Jo te bishti, por te koka e gjarprit”.

PERGJIGJA E TEHRANIT

“Nëse kjo do të ndodhte, do të hapeshin skenarë të tjerë, duke filluar me reagimin e Teheranit, shumë ndryshe nga ai i parë natën e 13 prillit. Irani ndoshta do të nisë një sulm të përmasave më të mëdha, me më shumë valë dhe më gjatë, dhe pa e njoftuar: gjë që do të zvogëlonte kapacitetin mbrojtës të Izraelit.” Për të neutralizuar sulmin iranian, në të cilin u plagos nga predha një vajzë beduine, u desh sistemi i mbrojtjes kundërajrore Iron Dome, por edhe kontributi i aleatëve, në radhë të parë i amerikanëve, jordanezëve e deri sauditëve. “Flitet për shpenzim një miliard dollarësh”, thotë analisti, “që sugjeron se Irani gjithashtu mund të vendosë të sfidojë Izraelin për kohëzgjatjen e sulmit. Por edhe duke goditur aktorët në botën arabe që ata i konsiderojnë mbështetës të Izraelit: në zonën e Gjirit Persik, ku mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në rrjedhën e burimeve të energjisë dhe vështirësi në prodhim, me pasoja globale”. Dhe në Jordani, një vend që luajti një rol të rëndësishëm në zmbrapsjen e sulmit të 13 prillit. “Ka qenë prej kohësh pjesë e një sistemi aleance që e vendos atë më pranë sferës perëndimore sesa me Iranin, pavarësisht kritikave të forta të shprehura për operacionin në Gaza”.

ROLI I SHTETEVE TË BASHKUARA

Një skenar që diplomacia ndërkombëtare po përpiqet ta shmangë, duke nisur nga presidenti amerikan Joe Biden. “Ai i ofroi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu një rrugëdalje të vlefshme, duke njohur suksesin politik dhe ushtarak të mbrojtjes, dhe duke e ftuar ta mbyllte me kaq”, shpjegon Pedde. “Do të ishte zgjidhja optimale, por duhet të kuptojmë nëse është me interes apo nuk paraqet një ndërlikim të mundshëm në vazhdimësinë e qeverisë së Netanyahut. Besoj se ka një faktor shumë personal që ndikon në këtë krizë, si dhe për Gazën”. Përtej thirrjeve për armëpushim (dhe lirimin e pengjeve në anën tjetër), të cilat janë objektivat parësore dhe duhet të ndiqen në çdo mënyrë, thotë Pedde, situata në Rripin e Gazës mbetet jashtëzakonisht komplekse për dy arsye. “E para është dëshira e izraelitëve për ta kryer këtë operacion, të cilin ata e përkufizojnë si “final”, për eliminimin e katër batalioneve të fundit të Hamasit: por ne e kemi dëgjuar disa herë që “ky operacion është final”. E dyta është se Hamasi mund të mposhtet ushtarakisht, por rrezikon të mos mposhtet politikisht, gjë që hap të panjohura të rëndësishme për të ardhmen”. Biden e bëri të qartë menjëherë se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në një përgjigje ushtarake kundër Iranit. “Por ky ngurrim mund të zhduket kur një përgjigje e mëvonshme iraniane, do e sillte përshkallëzimin në një nivel të tillë pasigurie për Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar, saqë amerikanët të detyroheshin të merrnin pjesë”.

AGJENCIA ATOMIKE E KUJDESHME

Në të gjitha këto ndodh që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, normalisht e kujdesshme, ngre një alarm: programi bërthamor iranian po pëson përshpejtime shqetësuese. “Fakti që donte të dërgonte këtë mesazh”, përfundon Pedde, “mund të jetë pjesë e kësaj krize: iranianët, të përballur me një kërcënim pak a shumë real, mund të braktisin traktatin e mospërhapjes dhe të shtyjnë për përshpejtimin dhe militarizimin e programin bërthamor. Gjë që do të komplikonte skenarin dhe do të na sillte një situatë vërtet të vështirë për t’u menaxhuar”. / bota.al


Shtuar 21.04.2024 23:21

Tags: , ,