Aksidenti me teleferikun në malet e Antalias në Turqi, shpëtohen 174 turistët e bllokuar

Një udhëtim me teleferik në malet e Antalias në Turqi përfundoi në një makth për dhjetëra turistë. Një prej kabinave të teleferikut është përplasur me një shtyllë, duke bërë që ajo të hapet dhe më shumë se 30 pasagjerë të rrëzohen në shpatin shkëmbor të malit. Një person ka mbetur i vdekur dhe 10 të tjerë janë plagosur, ndërsa së fundmi janë shpëtuar edhe të 174 personat që ndodheshin në ajër të bllokuar.

Operacioni i shpëtimit zgjati pothuajse një ditë ndërsa ministri i Brendshëm turk Ali Gerlikaya konfirmoi se pasagjerët e bllokuar ishin shpëtuar. Pati një mobilizim të menjëhershëm të helikopterëve dhe më shumë se 2000 anëtarëve të njësisë speciale të reagimit ndaj katastrofave dhe alpinistëve që larguan të lënduarit dhe u ngjitën me litarë në kabinat e imobilizuara për të nxjerrë banorët jashtë. Aksidenti ka ndodhur pasditen e së premtes, mes trafikut të rënduar për shkak të Bajramit në Turqi.

“Ne ishim shumë të frikësuar, sigurisht, çfarë mund të ndjenim tjetër? Për momentin jam më i qetë, po bërtisnim, po bërtisnim, por tashmë ka mbaruar”, tha një nga pasagjerët e shpëtuar.

Teleferiku transportonte turistët nga plazhi i Konyaltit deri në majën e malit Tunektepe, në lartësinë 618 metra me një platformë dhe restorant, nga i cili mund të shijohet pamja drejt gjirit të Antalias. Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, teksa janë lëshuar urdhër-arreste për të paktën 13 persona.


Shtuar 13.04.2024 21:39