6-vjeçarja zhduket në mënyrë të mistershme nga festa familjare, gjendet pa ndjenja në pyll, ndërron jetë në spital

Një vajzë 6-vjeçare e cila u gjet dje pa ndjenja në një pyll në Zvicër pasi u zhduk në rrethana ende të panjohura teksa luante në një festë familjare, ka ndërruar jetë sot, njoftoi policia.

“Vajza 6-vjeçare u transferua në gjendje kritike në spital me helikopter dhe fatkeqësisht vdiq herët në mëngjes”, tha policia e kantonit Valais.

Policia u njoftua dje në orën 17:54 për zhdukjen e vogëlushes që ndodhej në një festë familjare në zonën e Ravoire. Vajza ishte duke luajtur në festë dhe nuk u pa nga ora 17:00 e tutje.

Policia, duke punuar me agjenci dhe njësi të shumta ndihme, forcat ajrore dhe më shumë se 200 vullnetarë, nisi një operacion të madh kërkimi.

Mbrëmjen e së dielës, në orën 21:20, kërkimet janë shtrirë në pyll, i cili nuk është larg nga vendi ku është zhvilluar festa dhe aty vogëlushja është gjetur pa ndjenja.

Prokuroria kantonale ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të incidentit. Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë informacion për rastin.


Shtuar 20.05.2024 19:40