Bllokimi i kazinosë në Durrës, ja kush janë tre menaxherët e “Royal Eagle Casino” dhe zyrtarja e Këshillit në “Grand Casino”

Ambjentet ku ishte ndërtuar kazinojë i përkasin resortit turistik Adriatik në Durrës, ndërsa biznesi nga burimet policore mësohet se i përkiste një bashkim kazinosh të njohura në Tiranë si “Royal Eagle Casino”, “Grand Casino” në të cilën është aksionere “APEX Holding GmbH”.

Mësohet se kazinoja tashmë e bllokuar nga policia e Durrësit, nuk ka pasur liçensën e nevojshme, ndërsa në këtë aksion kanë marë pjesë dhe inspektorët e Agjensisë së Monitorimit të Lojrave të Fatit në Tiranë.

Sipas burimeve të prokurorisë dhe policisë së Durrësit, në pranga për këtë biznes të paligjshëm kanë rënë, Muhittin Cenk Omeroglu, i cili sipas burimeve rezulton të jetë menager në kazinonë e Tiranës, “Royal Eagle Casino”, e cila ndodhet shumë pranë stadiumit “Air Albania” dhe Universitetit Publik të Tiranës.

Së bashku me Omeroglu, në pranga ka rënë dhe Robert Cristian Nicolof, i cili prej dhjetorit 2021 ishte i punësuar si menaxher kazinojë pranë “Royal Eagle Casino”, por në fakt shërbente pikërisht në kazinonë e re të hapur në ambjentet e hotel “Adriatik” në Durrës, raporton Ora News.

Ndërkohë që nga shtatori 2021 deri në fund të nëntorit 2021, Robert Cristian, rezulton të ketë punuar si menaxhet salle, dhe në kazinonë “Grand Casino”.

Personi tjetër i huaj, i arrestuar nga policia për këtë biznes lojrash fati të paligjshëm, është 38-vjeçari Sergo Solstev. Të tre këta persona, qëndronin në Durrës, duke shërbyer si menaxherë të kazinosë në fjalë, e cila është hapur si derivat i dy kazinove të mëdhaja të kryeqytetit, “Royal Eagle Casino” dhe “Grand Casino”.

Por në këtë biznes të paligjshëm, që krijon mjaft të ardhura rezulton dhe një shtetase me emrin, Rovena Zahiri. Kjo e fundit konfirmohet të jetë Anëtare e Këshillit Mbikqyrës në kompaninë e kazinosë “Adria Entertainment”, ku me 32 për qind të aksioneve është dhe kompania “APEX Holding GmbH”.

Zahiri ende nuk është kapur nga policia e Durrësit, ndërsa emri i saj është lançuar në kërkim policor me afat 1 mujor. Sipas policisë së Durrësit, anëtarja e Këshillit Mbikqyrës së kompanisë në fjalë, rezulton të jetë njeriu që ka lidhur një kontratë qëraje me hotel “Adriatik” në plazhin e Durrësit, me qëllim ngritjen e një kazinoje në ambjentet e një kati të këtij hoteli.

Kazinoja është hapur në kohë rekord duke u vënë dhe në punë, ndhërsa i gjithë stafi menaxherial, i përket “Royal Eagle Casino” dhe “Grand Casino” që drejtohet nga kompania “Adria Entertainment”.

Pas gjithë kësaj veprimtari, policia dhe prokuroria dyshojnë se qëndron Bledar Sinani, ose siç njihet ndryshe sij “Dari i Apex”.

Ndërkohë ndaj tre personave të huaj të arrestuar Robert Cristian Nicolof, Muhittin Cenk Omeroglu dhe 38-vjeçarit Sergo Solstev, është ngritur akuza e “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Të njëjtat akuza janë ngritur edhe për, Rovena Zahirin, tashmë të shpallur në kërkim.

Pritet që në ditët në vijim, të arrestuarit të dalin para gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Ky nuk është rasti i parë që policia bllokon ambjente ku ushtrohet aktivitet bixhozi. Por pavarësisht goditjes së disa pikave dhe nismës së qeverisë për të patur një kontroll të imtësishëm të këtij biznesi në Shqipëri, sërisht mjaft ambjente janë shndëruar në sallone me lojra fati dhe baste sportive./Ora News/


Shtuar 12.01.2022 10:06