Blinken thirrje Izraelit të shmangë vdekjet masive në jug të Gazës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu se ndërhyrjet ushtarake në jug të Gazës nuk duhet të shkaktojnë vdekjen një numri të lartë të civilëve dhe zhvendosjen e popullsisë siç ndodhi në pjesën veriore të rajonit.

Zoti Blinken mbajti të enjten një sërë takimesh me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, mesazhi i zotit Blinken ndaj Izraelit për fazën tjetër të luftës ndaj Hamasit, ishte i prerë.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u rikthye në Izrael për herë të katërt që prej sulmit të Hamasit në 7 tetor, duke nxitur zgjatjen e armëpushimit mes palëve.

Duke folur me një gjuhë të drejtpëdrejtë, të pazakontë, ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve palestinezë.

“Biseduam mbi hollësitë e planit të Izraelit dhe nënvizova se për Shtetet e Bashkuara është kritike që vdekjet masive të civilëve dhe zhvendosja e popullsisë që pamë në veri të Gazës, të mos përsëriten edhe në jug. Sikurse ia bëra të ditur edhe kryeministrit, objektivi është i rëndësishëm, por edhe pasojat kanë rëndësi”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Mediat izraelite kanë njoftuar se gjatë takimeve me dyer të mbyllura, Sekretari Blinken i shprehu kabinetit të luftës në Izrael se lufta ndaj Hamasit mund të zgjasë me javë por jo me muaj.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara kishin sugjeruar ndonjë kufi kohor për luftën, zoti Blinken nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur, por duke përsëritur se është tejet e rëndësishme që civilët palestinezë dhe infrastruktura civile të mos jenë në shënjestrën e sulmeve të ardhshme.

Analisti Lawrence Korb i tha Zërit të Amerikës se kishte pritur që zoti Blinken t’u përcillte një mesazh të qartë nga Presidenti Joe Biden autoriteteve izraelite, në mesin e një trysnie të lartë që kanë shkaktuar njoftimet për vdekjen e më shumë se 15 mijë palestinezëve në Gazë, si pasojë e sulmeve izraelite.

“…Të mos përdorë të njëjtat taktika që përdori herën e parë, ku shqetësohej më shumë për kapjen e Hamasit se sa për vrasjen e civilëve të pafajshëm, veçanërisht nëse vendoset për të kryer bombardime në jug”, thotë Lawrence Korb, nga Qendra për Përparimin Amerikan.

Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës, se larg syve të opinionit publik ka shumë tension mes zyrtarëve më të lartë amerikanë dhe atyre izraelitë, lidhur me mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe të ardhmen e Gazës dhe të Bregut Perëndimor.

“Ky është një moment vërtet interesant për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Çfarë do të bëjë ajo? A do të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Izraelin dhe mbështetjen e pakushtëzuar ushtarake? Apo do të bëhet pak më e ashpër dhe do të shtrojë për diskutim mbështetjen ushtarake ?”, thotë Sarah Yager nga organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut “Human Rights Watch”.

Disa ligjvënës demokratë i kanë bërë thirrje Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje dhe të mos bombardojë zonat me popullsi të dendur në Gazë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mund të vendosin kushte për ndihmën ushtarake.

Të enjten në mëngjes zoti Blinekn u takua në Ramallah me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas. Zoti Abass nënvizoi unitetin e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gazë dhe bëri thirrje për zgjatjen e armëpushimit. /VOA


Shtuar 1.12.2023 16:13