BIRN: Rama duhet të na tregojë ndonjë provë të ‘komplotit kundër turizmit’

Fillimisht ishte një deputet socialist. Denis Deliu, i cili në jetëshkrimin e tij zyrtar deklaron se ka studiuar në Akademinë e Policisë në Tiranë, pyeti në mënyrë retorike kreun e SPAK gjatë një seance plenare nëse ky i fundit ka nisur hetime për një shqetësim shumë specifik të Deliut. Sipas tij, “ka një sabotim të turizmit, ka rritje të nivelit të dizinformimit”, sepse, shtoi ai, “këto dizinformime dëmtojnë ekonominë shqiptare.”

“A ka hapur SPAK hetim ndaj këtij fenomeni, ndaj shërbimeve të huaja inteligjente”? pyeti Deliu, kuptueshëm, duke na e lënë mister se cili ishte burimi i tij i informacionit dhe se cilat ishin këto “shërbime të huaja inteligjente”.

Pastaj në skenë hyri vetë kryeministri me boritë e tij të shumta mediatike. Sipas asaj që Rama tha, ka “shumë video, lajme, komente të rreme të manipuluara, të bëra me qëllim, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri.” Sipas tij, kemi të bëjmë me “sulm të organizuar që vjen nga disa anë. Fakti është që sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike.”

Së fundmi, media proqeveritare deklaroi “fakte” më konkrete për të vërtetuar komplotin. Sipas një propagandisti qeveritar, agjenci të lidhura me resorte në Greqi paguajnë mediat, për të thënë që Shqipëria është e shtrenjtë.

Nuk është shumë e vështirë të dallosh nonsenset në të gjithë këtë. E para, nëse ka ndonjë sjellje të koordinuar, me fjalë të hedhura në ajër, të pambështetura në prova, nuk ka pse të shkojmë më tutje. Pastaj, në botën e sotme, turistët informohen në Booking dhe AirBNB apo shërbime të tjera të ngjashme për të parë se në cilën zonë ka dhoma të disponueshme dhe se sa kushtojnë këto dhoma. Rrjedhimisht, është shumë e vështirë që të “dizinformosh” një vizitor potencial duke publikuar lajme për plazhe bosh apo për çmime të larta. Sepse, nëse publikon video me plazhe bosh, kjo ka gjasa që do të nxisë më shumë turistë që të vizitojnë këto plazhe, në një kohë kur mbipopullimi i qendrave turistike është shqetësim madhor për shumë vetë.

Dhe, normalisht që është edhe kontradikta në vetë fjalët e Ramës. Nga njëra anë ai ankohet për këtë fushatën armiqësore kundër turizmit, ndërsa nga ana tjetër i bërtet operatorëve turistikë duke thënë se “kanë luajtur mendsh” me çmimet që kanë vendosur këtë vit.

Nga ana tjetër, deputetët e tij flasin për shërbime të huaja armiqësore kundrejt një vendi që, në fakt, rrethohet nga të gjitha anët nga aleatë. A mundet që, fjala vjen, një shërbim i huaj që përhap informacione të pavërteta dhe dëmtuese për turizmin shqiptar të jetë, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut apo Kosova, tre të parat, aleatet tona në NATO, ndërsa Kosova, ndonëse jo aleat në NATO, ka pak gjasa të hyjë në fushatë të tillë? Apo mos e kanë fjalën për Serbinë, vendin me të cilin kryeministri ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi përgjatë të gjithë dekadës së fundit (dhe një vend që nuk ka dalje në det dhe nuk ka se si të përfitojë duke na sharë turizmin ne)? Apo, mos ndoshta shërbimet sekrete turke, një vend me të cilin kemi jo thjesht aleancë, por marrëdhënie “vëllazërore”, po bëjnë atë që na shpjegoi Deliu në parlament? Apo pas fushatës dizinformuese është Putini?

Normalisht që vetë raporti në përmasa të shtyn të mendosh se, edhe nëse do të ishin me të vërtetë armiqësore, as Greqia, as Turqia as Italia, as Kroacia e as ndonjë vend tjetër nuk do të merrte mundimin që të shante në rrjetet e medias sociale turizmin shqiptar për të përfituar vetë. Greqia, subjekti më afërmendësh i një teorie komploti, ka një vijë bregdetare prej 15 mijë kilometrash (ndërsa Shqipëria ka 400). Në një vit të zakonshëm ka 30 milionë turistë, të cilëve arrin t’u shërbejë para së gjithash falë punës së qindramijëra emigrantëve shqiptarë. Turqia ka rreth 8400 kilometra vijë bregdetare dhe rreth 50 milionë turistë në vit. Me pak fjalë, larg të qenit “halë” në sytë e armiqve, Shqipëria është një vend tërësisht i parëndësishëm për t’u marrë, edhe nëse këto vende do të ishin armike, kur në fakt janë aleate.

Rama vetë na foli për “siguri kibernetike”. A mundet vallë? Siguria kibernetike nuk ka shumë të bëjë me thashethemet e pavërteta të përhapura në rrjetet sociale, por ka të bëjë me thyerjen e sistemeve kompjuterike. Ironia është që me të vërtetë Shqipëria ka një institucion të quajtur: Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

E treta, aludimi se ka agjenci turistike në shërbim të resorteve në Greqi. Kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë para së gjithash për faktin se Greqia nuk është një vend i njohur për resorte. Turizmi në Greqi është zhvilluar sipas modelit të njësive të vogla e të mesme ekonomike, nën pronësi kryesisht familjare, me shumë pak hotele të mëdha dhe kurrsesi, jo me llojin e komplekseve të njohura si “resorte” me shërbime masive siç janë ato në Turqi e Egjipt. Është pak e vështirë të imagjinohet që ndonjë Kostas apo Nikos nga hoteli i tij me pesë apo dhjetë dhoma diku në Greqi të lidhet me ca agjenci turistike, të cilave, t’u shkojë në mendje të shajnë turizmin shqiptar në mënyrë që turisti të mos shkojë në Golem apo në Orikum, por të shkojë drejtpërsëdrejti te ky në Greqi.

Çdokush ka të drejtë të thotë broçkulla, përfshirë deputetin Deliu apo opinionistët pranë qeverisë. Kjo hyn në kategorinë e të drejtave themelore të njeriut. Vetëm se kryeministri Edi Rama, në mënyrë që fjalët e tij të mos i klasifikojmë automatikisht në kategorinë e broçkullave, bën mirë në na japë ndonjë provë se ajo që ai tha, mbështetet në realitet dhe jo në fantazi. Ai mund ta fillojë shpjegimin duke na treguar se cilës agjencie qeveritare i është ndezur llampa e kuqe, se çfarë metodologjie analize ka ndjekur kjo agjenci për të identifikuar sjelljen keqbërëse si dhe, nëse mundet, të na tregojë nëse, kur z. Deliu foli për shërbime sekrete të huaja, ka pasur në mendje ndonjë informacion real nga agjenci reale të inteligjencës, apo jo.

Thuhet me të drejtë se teoritë e komplotit ngjisin më shumë në vendet e Evropës Lindore postkomuniste për shkak të historisë. Përgjatë dyzet e pesë viteve, shqiptarëve iu ushqye vazhdimisht dhe vazhdimisht ideja e të qenit e rrethuar nga armiqtë. Nga televizioni te gazetat, librat apo infomacioni i shpërndarë nëpër shkolla, shqiptarët dëgjonin se si armiqtë e jashtëm bashkëpunonin me ata të padukshmit, të brendshëm, për të na rrëmbyer ne këtë parajsën që kishim këtu. Aspekti i interesit ekonomik si mekanizmi që nxit sjelljet armiqësore dhe komplotiste ka qenë shumë i rëndësishëm në modelin e propagandës komuniste, (krahas imazhit të armikut që vjen të të çnderojë), si mjet për të nxitur urrejtje ndaj të huajit. Kjo shpjegon teorinë e komplotit mes interesit të “resorteve në Greqi”, agjencive turistike dhe lajmeve të rreme të publikuara “në media”, (emrat e mediave nuk jepen), që dizinformojnë turistët për çmimet në Shqipëri. Tre dekada pas rënies së komunizmit, mentaliteti i shqiptarit dhe aftësia e publikut për të mos rënë pre e propagandës me komplote dukshëm nuk është përmirësuar mjaftueshëm. Teoritë e komplotit i sheh në të dyja anët e politikës, me raste të padëmshme, e me raste, me rrezikun që mbartin për dehumanizimin e tjetrit, siç është rasti i teorive të komplotit me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Është një politikë shumë e shëmtuar kjo, të cilën publiku bën mirë ta shohë ashtu siç është: një politikë të shëmtuar./ BIRN


Shtuar 18.07.2024 19:44