Biografia e Vjosa Osmanit, Presidentes së dytë të Kosovës

Kuvendi i Kosovës sapo ka votuar Vjosa Osmani-Sadriun për Presidente të Kosovës.

Ajo ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Kosovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA, njofton KlanKosova.tv.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare.

Në mandatet e kaluara Osmani ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese, shkruan Klan Kosova.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës teksa me 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, ajo ka shërbyer si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në SHBA.

Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.

Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Vjosa Osmani është e martuar me Prindon Sejdiun dhe ka dy vajza binjake dhe jetojnë në Prishtinë.

Shefja e re e shtetit flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht.

Shtuar 4.04.2021 07:04