Bilancet e gushtit: 182 aksidente, 24 të vdekur dhe 141 të lënduar

Nga Xhensila Kodra

Ulet numri i aksidenteve të ndodhura në muajin gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Muajin që lamë pas, ndodhën 182 aksidente në të gjithë vendin. 28 më pak se në gushtin e 2020-ës. Gjithsej ndërruan jetë 24 persona, 13 prej të cilëve këmbësorë. Ndërsa 141 të tjerë u plagosën.

18 prej të dëmtuarve morën lëndime të rënda dhe 123 të tjerë plagë më të lehta në trup. Aksidenti më i rëndë ishte ai i ndodhur më datë 26, në Qafë Muzinë, në aksin Gjirokastër-Sarandë. Një furgon u përplas me një mjet Land Rover dhe humbën jetën 5 persona që udhëtonin në furgon. 4 të tjerë u plagosën.

Për shkak edhe të sezonin turistik, rezultoi se fluksi i lëvizjeve gjatë muajit gusht ka qenë 2.5 herë më i lartë krahasuar me gushtin e vitit të shkuar. Nga shkeljet e konstatuara nga Policia Rrugore, numrin më të lartë e mbajnë ato të parakalimeve të gabuara, 9531 raste.

Pasohet nga shoferët e motorëve pa kaskë mbrojtëse dhe përdorimi i celularit në timon. Ndërsa 143 shoferë u arrestuan në gjendje të dehur dhe 11 të tjerë që lëviznin pa patentë.

AKSIDENTET NË GUSHT

182 aksidente

24 viktima (13 këmbësorë)

141 të plagosur (18 rendë dhe 123 lehtë)

SHKELJET NË GUSHT

344 shoferë të alkoolizuar

143 shoferë u arrestuan të dehur

11 shoferë të arrestuar pa patentë

1022 shoferë lëviznin me shpejtësi

2542 për përdorim celulari

9531 për parakalime të gabuara

2813 shoferë pa kaskë mbrojtëse

/abcnews.al/


Shtuar 11.09.2021 18:25