Berisha u kërkoi amerikanëve prova! DASH reagon sërish e nuk i ndahet ish-kryeministrit me akuza të forta

Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij.

Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht dhe publikisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive.

Duke qënë se ky vendim erdhi në një kohë kur askush nuk e priste dhe situata politike në Shqipëri duket e qetë, u ngrit pyetja, pse pikërisht tani ky vendim?

Sot, Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar sërish në lidhje me vendimin për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij.

Për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, zyrtari i Departamentit të Shtetit u shpreh se Sekretari i Shtetit ka në dispozicion informacione të besueshme që kanë lidhje me përfshirjen e Sali Berishës në korrupsion të ndjeshëm.

Ndër të tjera, ai tha se Berisha ka ndërhyrë dhe në proceset politikë si dhe ka shpërdorur fondet publike në Shqipëri.

“Informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.- tha zyrtari amerikan, i cili nuk vendosi që të tregonte identitetin e tij.

Në fund ai tha se SHBA nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet. /albeu.com/

 

 


Shtuar 20.05.2021 10:49