Sali Berisha u ka kërkuar qytetarëve, prindërve, diasporës dhe bizneseve që t’u bashkohen studentëve e gjimnazistëve në protestën e paralajmëruar për të shtunën në Tiranë.
Përmes një deklarate, ai akuzoi policinë për përdorim dhune ndaj të rinjve dhe bëri apel që qytetarët të jenë pjesë e tubimit. Berisha tha se, si prind, gjysh, qytetar, ish-president dhe ish-kryeministër, e konsideron ditën e nesërme një moment veçanërisht të rëndësishëm për të rinjtë në të gjithë vendin.
Të lidhura
None found
Sipas tij, që prej datës 13, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, policia ka ushtruar dhunë ndaj studentëve dhe gjimnazistëve, duke i keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra persona. Ai pretendoi se në komisariate janë dërguar të mitur, vajza dhe qytetarë të moshave më të mëdha.
Berisha përmendi përdorimin e gazit lotsjellës, granatave zhurmuese, gazit të skaduar, sprajit dhe pajisjeve kundër ariut, shkopinjve të gomës dhe shufrave të hekurit. Ai akuzoi policinë edhe për thyerje kockash dhe dëmtime në kokë nga bombulat e gazit e plumbat e gomës, duke deklaruar se një barbari e tillë nuk është parë në Tiranë as gjatë viteve ’90.
Ai u shpreh se studentët dhe gjimnazistët kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje në protestën e tyre dhe njoftoi se mijëra burra e gra, djem e vajza nga e gjithë Europa do të shkojnë drejt Tiranës. Berisha ftoi demokratët, qytetarët, prindërit dhe bizneset e vendit të solidarizohen me të rinjtë.





