Berisha sot në SPAK, demokratët mblidhen përpara Prokurorisë së Posaçme

Këtë të hënë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në orën 10:00, për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, vendosur nga Apeli i GJKKO-së në lidhje me çështjen “Partizani”.

Ndërkohë, strukturat e PD-së në Tiranë kanë njoftuar mbështetësit për t’u mbledhur para Prokurorisë së Posaçme, ashtu si në rastet e mëparshme kur Berisha është paraqitur pranë SPAK.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që mbështetësit e kryedemokratit Berisha, do të jenë në mbështetje të tij gjatë paraqitjes në prokurori, pasi kanë qenë të pranishëm në të gjitha herët që ish-kryeministri ka respektuar masën e sigurisë.

“…Ditën e Hënë, në ora 09:30, sërish Kryetari i PD, Sali Berisha, do jetë në dyert e SKAP it. Ju lutem pjesëmarrja është me rëndësi. Në ora 09:30 përpara selisë së SKAP-it”, thuhej në mesazhin e PD.


Shtuar 3.03.2025 08:12