Berisha refuzon të merret në pyetje nga GJKKO? Ish-Kryeministri: S’ka bandit që më imponon të shkel Kushtetutën

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur më 21 tetor, masën “detyrim paraqitjeje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani.

Ai duhet të paraqitet ditën e sotme para prokurorëve të SPAK për tu marrë në pyetje.

Por në një deklaratë për mediet, tërthorazi u përgjigj se nuk do të shkojë në SPAK, pasi kjo sipas tij është në shkelje me Kushtetutën.

Berisha: Jam i gatshëm të shkoj në SPAK në çdo kohë për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij. Çdo qytetar duhet ta dijë se unë jam paraqitur në Prokurori sa herë jam thirrur gjatë jetës sime. Nuk mund të pranoj që Rama me një grusht banditësh që funksionojnë si grup i strukturuar kriminal, të shkelë Kushtetutën. Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri sa në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën.

Por çfarë parashikohet nga ligji nëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqitet këtë të hënë përpara policisë gjyqësore?

Sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ka shkelje të masave të sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë tjetër me të rëndë. “1. Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.

Konkretisht masat qe konsiderohen më të ashpra dhe që mund të jepen ndaj Sali Berishës janë arrest në shtëpi ose shoqërim me forcë, ndërkohë që arresti me burg ndaj ish-kryeministrit nuk është i mundur për shkak të moshës së tij./albeu.com 


Shtuar 6.11.2023 10:10