Berisha në Kuvend: Socialistët i duan të varfrit, po i shtojnë me progresion gjeometrik

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në flotoren e Kuvendit se socialistët i duan shumë të varfrit, prandaj kur vijnë në pushtet i shtojnë me progresion gjeometrik.

Ai shtoi se Shqipëria është në krizë, ndërsa në Europë nuk ka qytetarë të vjedhur si shqiptarët.

“Socialistët i duan shumë të varfrit, i duan aq shumë saqë kur vijnë në pushtet i shtojnë në progresion gjeometrik. Çfarë ndodh, cila është kjo veti që socialistët i shumëzojnë, i shumojnë në mënyrë të rrufeshme të varfrit.

Dy janë arsyet. Hipokrizia dhe demagogjia e tyre. Hajnia e papërmbajtur e tyre. Nuk po ndalen në hipokrizinë dhe demagogjinë, se u dëgjuan shqiptarët sot. Asnjëri prej jush nuk mund të takojë një zgjedhës, një pensionist, një infermiere, mjek, mësues, nuk mund ti dilni përpara. Ju jeni të ngujuar këtu në këtë sallë dhe flisni si në filma. Nuk ka shqiptar që ju nuk e neverisni me këtë cinizëm ekstrem që dëshmoni ndaj tyre.

Flitet për krizë dhe ka një krizë, nuk mund të mohohet, por në Shqipëri ka një dopio krizë sepse në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, përveç spekulimit të spekulantëve në treg, kryespekulante është qeveria, zyrtarët që vjedhin në mënyrë të papërmbajtur qytetarët.

Nuk ka qytetar në Europë, të vjedhur si shqiptarët. Të rrallë dhe në botë. Kaluan një periudhë shumë të vështirë me 2-3 fishim të produkteve bazë ushqimore, me naftën në stratosferë, kapacitetet turistike bosh, përveç hotelit të ndonjë deputeteje apo deputeti”, tha Berisha.


Shtuar 8.09.2022 18:23