Më herët gjatë ditës së sotme anëtarët e Departamentit Brain Gain të Partisë Demokratike vendosën të mblidhen poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha në shenjë mbështetjeje ndaj demokracisë e cila është sot me e kërcënuar se kurrë.
“Në përfundim të mbledhjes vjetore të departamentit Brain Gain, vendosëm të vinim poshtë pallatit të kryetarit të opozitës Sali Berisha. Sot është një ditë shumë e keqe për demokracinë shqiptare, shtet formimin e Shqipërisë për shkak se janë thyer të gjitha rregullat ligjore me burgimin e kryetarit të opozitës.
Kjo vjen sigurisht si një rrjedhë e ngjarjeve ku kemi parë dëmtime të rolit të opozitës në parlament, nëpërmjet një rregulloreje, nëpërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo veprimet të Prokurorisë së Posaçme.
Ne këtu synojmë mbështetje të plotë ndaj kauzës më të të gjerë që është demokracia, që është e drejta për të gjithë. Çdo qytetar shqiptar duhet të trajtohet njësoj, sigurisht, por jo më keq se të tjerët”, tha një nga përfaqësuesit.
Kujtojmë se sot GJKKO pranoi kërkesën e SPAK, duke ndryshuar masën e sigurisë nga ‘detyrim paraqitjeje’ në ‘arrest në shtëpi’ ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjithashtu ndaj tij është caktuar mbikëqyrje policore dhe ndalim i komunikimit me persona që nuk janë të familjes.