Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Maliqit, Alfred Gegën.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se në 14 maj do të vijë ndryshimi për të gjithë shqiptarët. Sipas tij kandidatët e primareve janë më të ndershmit dhe më përfaqësuesit për qytetarët.
“I gjithë ky entuziazëm, kjo frymë është energjia e ndryshimit të shumëpritur. Është fryma e një fitoreje e cila më datë 14 maj, jo vetëm do të vendosë Alfred Gegën si qytetar të parë të Maliqit, dhe kandidatë të Primareve në mbarë vendin, por është fryma e triumfit të demokracisë, vlerave, fryma e ndryshimit të madh, është fryma e cila do të shpëtojë shqiptarët nga pushteti i atyre që përdorën atë në mënyrën më të shfrenuar për pasurimin e vet.
E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për vjedhjen tuaj. E përdorën atë në mënyrën më të pamëshirë për mashtrimin tuaj. E përdorën atë në mënyrë të pamëshirë për përzënien tuaj nga votat tuaja, dhe sot të pashpirt, të pangopur, pasi kanë përzënë 1 milionë shqiptarë në 8 vite deklaronin se do sjellim familjarë dhe punëtorë nga Sri Lanka, Bangladeshi dhe India. Dhe këta, iu garantoj për trafik të qenieve njerëzore, dhe jo për të punuar këtu”, deklaroi Berisha.