Berisha-Kimit: Nëse s’do të kishe uruar zgjedhjet e 25 prillit, gjërat do të ishin ndryshe

Kryedemokrati Sali Berisha, në një takim me krerët e degëve të Tiranës në selinë blu, tha se nëse ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, nuk do të kishte uruar zgjedhjet e 25 prillit 2021, gjërat do të ishin më ndryshe sot.

Berisha u shpreh se, Yuri Kim kalon nga një mbledhje me gjykatësit në një tjetër. Sakaq, ish-kryeministri u shpreh se qytetarët duhet të votojnë të lirë.

“Krahas kësaj ne kemi evenimentin madhor, historik, primaret. Të bëjmë gjithçka për një proces sa më të ndershëm, të drejtë, transparent.

Shqipëria  është shkëputur nga vlera, është shndërruar në një ishull ku vota është përzënë nga qeveria, nga Partia Socialiste.

Me këto primare ne tregojmë përkushtimin më maksimal ndaj votës. Se absolutisht nuk zhvillohemi kurrë pa votën e lirë, dhe kushti i të gjitha kushteve që ky vend të zhvillohet është kushti që qytetarët të votojnë të lirë.

E humbën ne këtë, një shkarje e tmerrshme në 9 vite.

E shikoni zonjën Kim që kalon nga një mbledhje me gjykatësit në këto. I kujtoj vetëm një gjë zonjës. Nëse nuk do të kishte shkuar të urojë zgjedhjet e 25 prillit në darkë, ndoshta do të ishin gjërat pak më ndryshe, se gjithçka buron nga vota.

Dhe në rast se ne u rrokullisëm në këtë mënyrë, u rrokullisëm se na u rrëmbye vota. Jashtë saj nuk ka demokraci, shtet ligjor e drejtësi.

Do të kishte qenë shumë mirë të qëndronte në lartësinë e respektit për votën e lirë, por nuk qëndroi. Do të qëndrojmë ne, sado e vështirë të jetë kjo, sepse vetëm me votën e lirë ne mund të bëhemi një vend i zhvilluar si vendet e tjera”, tha Berisha.


Shtuar 23.11.2022 20:48