Berisha: Erion Veliaj, njeri pa moral, u shndërrua në hajdutin më të madh që bashkia ka njohur në tërë ekzistencën e saj

Lideri i opozitës, Sali Berisha e ka cilësuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj një njeri pa moral, që sipas tij është shndërruar në hajdutin më të madh që ky institucion vendor ka njohur që prej ekzistencës së tij.

Duke folur përpara mbështetësve të tij në Rrugën e Shpresës në ditën e  319 të tubimit qytetar, Berisha tha se Veliaj është autor i një sërë vjedhjeve, duke nisur me djegësin e Tiranës që nuk ezksiton, deri te fondet për mbjelljen e pemëve në kryeqytet.

Për vjedhjet dhe abuzimet në Bashki, Berisha u shpreh se Erion Veliaj duhet varur sa më parë në atë që e cilësoi si ‘shtyllën e turpit të kombit shqiptar’.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ju, qëndrestare dhe qëndrestarëve të pamposhtur, të kauzës së drejtë të qytetarëve shqiptarë, të kauzës së dinjitetit, të lirisë dhe interesit kombëtar.

Një përshëndetje të përzemërt, oratorëve të kësaj platforme, tribune të vërtetë të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre ndriçojnë dhe frymëzojnë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt, qytetarëve të mosbindjes civile para bashkisë së Tiranës, që protestojnë kundër një hajduti që e turpëron emrin njeri.

Kundër një hajduti të pamëshirë, që nisi karrierën e tij duke vjedhur të gjitha financat e Mjaft dhe përfundoi duke vjedhur kompjuterin e tyre.

Si një njeri pa asnjë lloj norme morale, u shndërrua në hajdutin më të madh që ajo ndërtesë ka njohur në tërë ekzistencën e saj.
Të dashur miq!

Erion Veliaj me zhdukjen e 130 milionë eurove te djegësit të Tiranës që nuk ekziston, me grabitjen e fondeve të 1 milionë pemëve që s’janë mbjellë as 1 e njëmijëta e tyre, që është blerë pisha 6700 euro, me dasmën që bëri ky bandit me para, dhe që thoshte i kam nga mamaja, paçka se tenderin e kishte fituar vëllai i tij, Erion Veliaj duhet varur sa më parë në shtyllën e turpit të kombit shqiptar.

Miqtë e mi!
Kësaj here, fatmirësisht edhe sivllau i tij, superspekullanti i botës, Aleksis Soros nuk po i përgjigjet telefonatave të tij.

Nuk po i përgjigjet sepse, është i zënë vetë, në vendin e tij, pritet të japë llogari para kombit amerikan që ndëshkoi në mënyrë shembullore ‘ëokizmin’ e tij, dëmet e mëdha publike që u bëri qytetarëve amerikanë, kjo monstër e njerëzimit.

Edi Rama, i cili me datën 6 do të shkruante se, ka punuar me përkushtim të madh me presidentin e 46 dhe do të përkujtojë me përkushtim të madh me presidentin e 47, ka marrë një telefonatë, por miqtë e mi, jo telefonatën që priste.
Ka marrë një telefonatë me SkyEcc që ka dy net që e lë pa gjumë.

Telefonata nuk i vinte nga e priste. Se tashmë kolonelit nuk ka kush ti shkruajë, por i vinte nga nuk e priste.
I vinte nga McGonigali; Edi po të pres, se në qoftëse u dënova unë për rryshfet, rryshfetin ma dhe ti dhe ndaj këto vite burg do ti ndajmë bashkë.

Të dashur miq, para se të përfundojë tek McGonigal, ftoj qytetarë shqiptarë, demokratë, të paparti, socialistë, qytetarët e vjedhur shqiptarë nga Edi Rama, t’ja bëjmë gjyqin këtu në Shqipëri.

T’ja bëjmë gjyqin këtu në Shqipëri, se ato me të cilat ka paguar McGonigalin janë thërrime krahasuar me miliardat që po vjedh me Alabarin në Portin e Durrësit.

Janë asgjë në krahasim me qindra e qindra milionë që ndan me Lubinë, në ndërtimin e rrugëve me çmime 10 herë më të larta se Kroacia.

Janë thirrime krahasuar me 30% që merr në çdo firmë, në çdo resort, në çdo kullë, në çdo ndërtesë në këtë vend, siç paditet rëndom.

Pra edhe njëherë qytetarë dhe qytetare, me zemërimin tonë, me revoltën tonë, me mosbindjen civile ti japim Edi Ramës, një minutë e më parë atë që meriton.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.
Qeveri teknike, zgjedhje të lira.
Fitore, fitore, fitore!


Shtuar 15.11.2024 20:02