Protestat që po zhvillohen në Tiranë kanë shkaktuar reagime të forta në Uashington, ku kongresmenë dhe senatorë amerikanë, republikanë e demokratë, kanë kërkuar ndalimin e dhunës, respektimin e ligjit dhe marrjen në konsideratë të kërkesave të qytetarëve.
Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ngritja e një qeverie teknike me mandat të kufizuar.
Të lidhura
None found
Kongresmeni demokrat Jim McGovern reagoi përmes një postimi në X, ku shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri. Ai theksoi se qytetarët dalin në rrugë kur qeveritë nuk u përgjigjen nevojave të tyre dhe se e drejta për protestë paqësore mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.
McGovern u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që t’i japin fund përdorimit të dhunës, të sigurojnë sundimin e ligjit dhe të dëgjojnë kërkesat e popullit.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë kanë rritur ndjeshëm tensionet, ndërsa pamjet nga protestat janë shpërndarë gjerësisht.
Lëvizja e njohur fillimisht si “Revolucioni Flamingo” dhe tashmë e quajtur “Revolucioni Vjeshtor” nisi më herët në Maj 2026, si një protestë mjedisore kundër projekteve luksoze në zona të mbrojtura.
Me kalimin e kohës, protesta u shndërrua në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe qeverisjes së gjatë të Edi Ramës.
Krahas largimit të kryeministrit dhe formimit të një qeverie teknike me mandat të kufizuar, protestuesit kërkojnë reformë zgjedhore dhe një kontratë të re sociale.
Gjatë javëve të fundit, studentët janë bërë një prej forcave kryesore të lëvizjes, duke i dhënë asaj një dinamikë të re.
Thirrje për qetësim të situatës dhe mbrojtjen e protestuesve kanë bërë edhe senatorët demokratë Chris Murphy, Elissa Slotkin dhe Gary Peters. Ata kanë kërkuar që të shmanget përdorimi i tepruar i forcës dhe që lufta kundër korrupsionit të mbetet në fokus.
Sipas tyre, shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojnë llogari përfaqësuesve të zgjedhur.
Republikani Joe Wilson, nga Dhoma e Përfaqësuesve, deklaroi se shqiptarët meritojnë liri, sundim të ligjit dhe institucione të përgjegjshme. Ai kërkoi gjithashtu që qeveria të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve.
Robert Aderholt dhe Keith Self i kanë lidhur zhvillimet me pakënaqësinë e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar. Ndërkohë, Mike Lawler, i cili përfaqëson një distrikt me komunitet të fuqishëm shqiptaro-amerikan, tha se qëndron në krah të zgjedhësve të tij dhe të popullit shqiptar.
Edhe Ritchie Torres reagoi duke i cilësuar të papranueshme veprimet e policisë. Alexandria Ocasio-Cortez, pjesë e së majtës radikale në Washington, kërkoi ndalimin e shtypjes së dhunshme dhe respektimin e lirisë së shprehjes.
Mesazhi i përbashkët i zyrtarëve amerikanë është se Shqipëria, si aleate e NATO-s dhe partnere e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara, duhet të garantojë të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit.
Sipas tyre, mbrojtja e këtyre parimeve dhe dëgjimi i qytetarëve nuk mund të trajtohen si çështje thjesht të brendshme dhe të izoluara.
Uashingtoni kërkon ndalimin e dhunës dhe marrjen seriozisht të zërit të shqiptarëve. Në këtë klimë reagimesh ndërkombëtare përfshihet edhe deklarata e kongresmenit Jim McGovern.
Reagimet vijnë pas muajsh protestash dhe pas episodeve të fundit të dhunës, të cilat kanë ngritur shqetësime të forta lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në një vend që pret të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Thirrja e protestuesve mbetet e pandryshuar: ndalimi i dhunës, garantimi i protestës paqësore dhe dëgjimi i kërkesës së tyre për 5 muaj, atë për dorëheqjen e panegociushme të Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.





