Berisha: Erion Veliaj ka ikur në drejtim të panjohur! Depozitat më të mëdha i ka në Dubai. Të kthehet në Shqipëri, ose të dorëhiqet Rama

Që në ora 5 të mëngjesit të sotëm Erion Veliaj është parë të lërë sallën sallën Vip me pagesë (200 euro një qëndrim) të arepoportit te Rinasit.

Këtë e konfirmon dhe kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili kërkon ose kthimin e menjëhershëm të Veliajt në Shqipëri, ose dorëheqjen e Edi Ramës.

DEKLARATA E BERISHES

Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur.

Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.

Kjo sepse Erion Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të paimagjinueshme, më të pallogaritshme, më të mëdha që Edi Rama ka bërë në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve së bashku me Erion Veliajn dhe organizatën e tij kriminale.

Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë.

Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë.

Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz.

Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë.

Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale.

Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai.

Në qoftë se Jamarbër Malltezi, i cili ka marrë 410 metër tokë të gjyshërve të tij, u arrestua në mënyrë brutale tek kthehej në Tiranë nga jashtë, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe llumi tjetër qeveritar, pa u pyetur as dhe njëherë të vetme, Erion Veliajt i pyetur disa herë, i akuzuar me akuza që shkojnë nga 20 gjer 35 vite burg, as nuk iu hoq pasaporta, as nuk u lëshua urdhër-arresti, me qëllimin e vetëm që ai të largohej për të mos kompromentuar, për të mos u treguar shqiptarëve përmasat e vjedhjes së Edi Ramës dhe klanit të tij.

Kërkoj dhe njëherë rikthimin me urgjencë të Erion Veliajt ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës. Ky akt është fytyra e vërtetë e narko-shtetit, e diktaturës.


Shtuar 28.12.2024 14:10