Berisha-deputetëve: Çdo minutë duhet t’ia kushtojmë përgatitjes së kryengritjes paqësore të 8 maj

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti akuza të forta ndaj qeverisë dhe bëri thirrje për mobilizim total të opozitës.

Berisha theksoi se, opozita nuk mund ta pranojë kurrë Edi Ramën dhe qeverinë e tij si të ligjshme.

Të lidhura

None found

Ndër të tjera ai, e cilësoi 8 majin si një moment vendimtar për reagimin qytetar kundër qeverisjes së Edi Rama.

“Jemi në prag të 8 majit, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe shqiptarët. Ndaj dhe njëherë në mënyrën më të vendosur u bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë.

Përpiqen me të gjitha mjetet të mbjellin terror në grahmat e fundit. Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur.

Dhe, të provojmë se ne jemi zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve dhe jemi forca kryesore integruese, forca kryesore që punojmë për të ardhmen e këtij vendi”, njofton Berisha.


Shtuar 6.05.2026 14:49