Anëtari i kryesisë së PD-së së Rithemelimit, Belind Këlliçi, ka treguar tre momentet kryesore se ku duhet hetuar kontrata koncesionare e inceneratorit të Tiranës.
“Momenti i parë është ai i miratimit të kontratës. Momenti i dytë që duhet hetuar në këtë aferë është zbatimi i kontratës konçensionare. Momenti i tretë që duhet hetuar është monitorimi i konçensionarit”, shprehet Këlliçi.
DEKLARATA E BELIND KËLLIÇIT:
Të nderuar qytetarë,
Përtej të gjithë konfuzionit të krijuar nga mediat që paguhen me paratë e inceneratorëve apo korrupsionit të Bashkisë Tiranë, e vërteta është një dhe vetëm një.
Kontrata konçensionare për inceneratorin e Tiranës, duhet hetuar në 3 momente.
Momenti i parë është ai i miratimit të kontratës. SPAK deri më sot ka gjetur përgjegjës Komisionin e Vlerësimit të Konçensionit duke arrestuar dy drejtorë të Bashkisë Tiranë, por SPAK ka harruar 3 shkresa shumë të rëndësishme.
1.Komunikimi shkresor me Arben Ahmetajn, ku pronari faktik i inceneratorit Tiranë Erion Veliaj, i kërkonte me këmbëngulje Ministrit të Financave miratimin e këtij konçensioni.
2.Shkresa e muajit mars 2017, ku Erion Veliaj, në shkelje të Ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak, miratoi konçensionin e plehrave.
3.Aneksi nr.9 i kontratës konçensionare, që daton në mars të vitit 2018, përmes së cilës Erion Veliaj futi përfundimisht Bashkinë e Tiranës, jo vetëm në një angazhim financiar për 30 vite, por gjithashtu i ngarkoi bashkisë detyrimin për të asistuar dhe kontrolluar konçensionarin.
Momenti i dytë që duhet hetuar në këtë aferë është zbatimi i kontratës konçensionare. Këtu na vjen në ndihmë shkresa e Ministrit të Infrastrukturës Damian Gjiknuri, e datës 12 mars 2018, e cila i drejtohet Bashkisë Tiranë duke i thënë: “Për sa më sipër, duke qënë se Bashkia Tiranë është monitoruesja në terren e kësaj kontrate, si njësia më e madhe vendore përfituese, kërkojmë që bashkë me letrën e angazhimit, të na dërgoni dhe konfirmimet e situacioneve, duke ndarë vlerën që duhet të paguajë Autoriteti Kontraktor për llogari të Bashkisë”.
Pra është fare e qartë që njësia vendore që duhet të monitoronte konçensionarin në terren është Bashkia Tiranë.
Nga administrimi i dokumentacionit dhe komunikimeve elektronike, Grupi i Ekspertëve pranë PD ka konstatuar se Bashkia Tiranë është i vetmi institucion që ka mbajtur komunikim ditor dhe mbi të gjitha i ka miratuar inceneratorit Tiranë tarifat për depozitimin e dherave, zë i cili nuk ishte pjesë përbërëse e kontratës.
Përmes këtij veprimi Bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj ka siguruar të paktën 60 milionë euro shtesë të ardhura për konçensionarin.
Momenti i tretë që duhet hetuar është monitorimi i konçensionarit. Sipas përcaktimeve të kontratës konçensionare, përkatësisht në Nenin 6.1 dhe Ligjit “Për Konçensionet”, struktura e vetme e cila ka detyrimin të kontrollojë zbatimin e kësaj kontrate është Njësia e Zbatimit të Projektit (NJZP).
Në Nenin 6.1.1 përcaktohet se: “Brenda 1 muaji nga data efektive, palët krijojnë Njësinë e Zbatimit të Projektit, e cila përbëhet nga 2 anëtarë nga Autoriteti Kontraktor (në këtë rast Ministria e Infrastrukturës), 2 anëtarë nga Bashkia e Tiranës dhe 1 anëtar nga Ministria përgjegjëse për Energjinë”.
Sipas dokumenteve zyrtare të bëra publike nga kjo foltore, rezulton se: Me shkresën e muajit korrik të vitit 2023, Zv. Kryeministrja Belinda Balluku i kërkon për të disatën herë, Erion Veliajt të sjellë përfaqësuesit e tij në NJZP dhe të mos bllokojë më punën e kësaj strukture, pasi në të kundërt ai do të jetë përgjegjës për cënimin e interesit të palës shtet.
Shkresa e dytë, e muajit nëntor 2023, e firmosur nga Administratori shtetëror i inceneratorit Tiranë z. Arjan Baçi, i cili pasi rendit problematikën urgjente të mungesës së monitorimit të kontratës konçensionare, përmbyllet si më poshtë: “Po kështu, u kërkojmë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe VEÇANËRISHT Bashkisë Tiranë, 2 anëtarët e së cilës mungojnë prej 2 vitesh, të marin pjesë në çdo mbledhje të NJZP, me qëllim mos dështimin e mbledhjeve”.
Të nderuar qytetarë,
Përpos lajmeve të fabrikuara nga zyra e propagandës së Bashkisë Tiranë përmes mediave të paguara nga inceneratorët, jo vetëm nr.2 i qeverisë Belinda Balluku, por mbi të gjitha Administratori Shtetëror, bëjnë përgjegjës Bashkinë e Tiranës dhe specifikisht Erion Veliajn, për bllokimin e funksionimit të NJZP, e për pasojë zhdukjen e 132 milionë eurove në drejtim të paditur, pasi edhe sot që flasim, incenerator NUK KA, e ndërkohë pronari faktik Erion Veliaj merr përsipër pagesën në masën 100% të detyrimit kontraktual vjetor.
Është e qartë si drita e diellit, se në të 3 momentet që analizuam emri i vetëm i përbashkët, është pronari faktik i Inceneratorit Tiranë Erion Veliaj.
SPAK e ka të kotë që zgjat agoninë e tij. Ditët në vijim, do t’i vijmë sërish në ndihmë SPAK duke bërë publik për herë të parë studimin e fizibilitetit të vitit 2014 të IFC dhe aty do të kuptohet se si Erion Veliaj ka 3 fishuar vlerën e trajtimit të mbetjeve në kryeqytet duke futur duart shumë thellë në xhepin e çdo qytetari të Tiranës.
Ju faleminderit.