Befason Pjerin Ndreu: Lekët këtu ndahen sipas humorit të ministrive

Paratë për Bashkite nuk duhet të jepen sipas humorit të ministrave.

Ka qenë kjo deklarata e fortë e Kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili i kërkon qeverisë të ndryshoje mënyrën e shpërndarjes së fondeve për bashkitë.

Ndreu mendon se shpërndarja e buxhetit nuk është realiste për bashki të ndryshme të vendit.

Sipas disa strukturave vendore, nuk është vënë në zbatim arsyetimi për më shumë para për ata që punojnë më fortë.

“Ka disa problematika që lidhen me projektbuxhetin e 2022, nuk pasqyron çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Grantet e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara duhet të shikohen. Shpërndarja e buxhetit në mënyrë të njëtrajtshme nuk është gjëja e duhur. Ajo që na shqetëson është renta minerare, e shumë e çuditshme që mbahet në nivelin 5%, është absurde,” tha ai.

Gjithashtu, Ndreu shprehu rezerva për shpërndarjen e granteve dhe fondeve për emergjencat. Sipas tij, këto fonde duhet të kalojnë direkt nga qeveria tek bashkitë dhe jo përmes ministrive përkatëse sepse rrezikojnë të ndahen siç tha ai sipas humorit të ministrave.

“Tek emergjencat do shtoja që 4% duhet t’i kalojnë si buxhet bashkive. Një pjesë e këtyre u kalon bashkive, e një pjesë mbahet në formën e një granti për të cilën duhet të konkurrojnë bashkitë. Se ndodh ai fenomeni pastaj që merren këto e ndahen sipas humoreve të disa ministrave e ky është shqetësim. Nuk e di ç’hyn ministria këtu. Ministria mund të bëjë rolin e mbikëqyrësit nëse fondet shkojnë në drejtim të gabuar, por nuk mund të kryejë rolin e transmetuesit më jep mua lekë se unë do t’ia çoj atij,” tha Ndreu./albeu.com/