“BE është një federatë egosh”, Rama: Nuk e dimë kur do anëtarësohemi, s’mund ta parashikoj të ardhmen

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe zhvilloi edhe një bashkëbisedim të veçantë në auditorin e Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House.

I pyetur lidhur me deklaratën e tij të përsëritur “E ardhmja e Shqipërisë është e ndritshme”, Rama tha se mbase nuk është korrekte politikisht. Sipas tij, Shqipëria është një vend i lirë dhe shqiptarët mund të zgjedhin ku të jetojnë. Por sipas tij, për ta bërë të ardhmen e venndit të ndritshme duhet shumë punë dhe vullnet.

Rama: Unë e di që nuk është korrekte politikisht ajo që them. Ajo për çka luftova është një vend i hapur, i lirë që të gjithë të lëvizin. Ti je shqiptar por je qytetar i botës. Kjo është bota që doni. Tani si t’i thuash njerëzve që rrini këtu se këtu e keni vendin. Jo të rinjtë kanë të drejtë të zgjedhin. Do të largohesh, largohu, do të kthehesh ktheu. Duhet të bëjmë çdo ditë atë që është më e mirë, por nuk mund të premtojmë mrekulli. Kur vjen puna te Shqipëria kërkon punë dhe forcë.

Për sa i përket anëtarësimit të vendit në BE, kreu i qeverisë tha se askush nuk e di kur do të ndodhë. Sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të bëjë detyrat e shtëpisë, por për sa i përket anëtarësimit as BE nuk e di se kur do të ndodhë.

Rama: Po më kërkoni të shoh globin e kristalit, të parashikoj të ardhem që është e pamundur. Edhe BE nuk di gjë për këtë dhe ne nuk e dimë. Por pjesa e thjeshtë dhe më e vështirë për ne është që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Duhet t’i përmbushim këto detyra jo për t’i bërë qejfin Berlinit apo Parisit por janë të domosdoshme për ta bërë Shqipërinë një demokraci institucionale. Kjo do të thotë që të kemi ndarjen e pushteteve me vepra jo vetëm me fjalë dhe që të kemi një sistem drejtësie tërësisht të pavarur. Kjo do ta bëjë Shqipënirë modere. Por a do ta bëjë anëtare të BE? Nuk e di. Askush niuk e di. BE është një federatë egosh që ndonjëherë nuk i takohen me njëra-tjetrën. Ka 27 zgjedhje kombëtare, lokale dhe nuk janë në të njëjtën pikë. Duhet ta lexosh BE duke parë zgjedhjet./Albeu.com/

 


Shtuar 24.03.2023 08:28