BE do të dhurojë 200 milionë doza vaksinash për vendet e varfra

Bashkimi Evropian premton t’u dhurojë 200 milionë doza vaksinash kundër COVID-19-s vendeve me të ardhura të ulëta deri në mesin e vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri premtimin të mërkurën në Strasburg të Francës gjatë fjalimit të saj vjetor para Parlamentit Evropian.

Zonja Von der Leyen tha se 200 milionë dozat janë krahas atyre të premtuara më parë prej 250 milionë dozash, duke i cilësuar si “një investim për solidaritet dhe në funksion të shëndetit global”.

Ajo tha se “shkalla e padrejtësisë dhe niveli i urgjencës është i dukshëm” në kushtet kur më pak se 1% të të gjitha dozave në nivel global janë injektuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Le të bëjmë gjithçka të mundshme në mënyrë që të mos kthehet në një pandemi të të pavaksinuarve”, u tha ajo ligjvënësve të BE-së.

Ndërkohë, zyrtarët e ushtrisë amerikane lëshuan një urdhër për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë personelit me uniformë. Ata thanë se presin që të gjithë ushtarët në detyrë të vaksinohen plotësisht kundër COVID-19 deri më 15 dhjetor, ndërsa kanë vendosur një afat deri më 30 qershor 2022 për të gjithë ushtarët në rezervë dhe Gardën Kombëtare.

Në deklaratë thuhej se ushtarët që refuzojnë vaksinimin duhet “të këshillohen fillimisht me zinxhirin e tyre të komandës dhe ofruesit e shërbimit shëndetësor”, por paralajmëruan se nëse ata vazhdojnë të refuzojnë do të pezullohen nga detyrat ose largohen nga shërbimi./VOA


Shtuar 15.09.2021 15:57

Tags: ,