Sorina Koti deputete e Partisë Demokratike e cila është njëkohësisht edhe Nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë i është bashkuar “foltores” së Partisë Demokratike në Korçë, duke dalë hapur krah ish-kryeministrit Berisha dhe duke u bërë deputetja e dhjetë e PD-së që kalon në krëh të ish-kryedemokratit.
Koti i ka kërkuar Berishës që t’i rikthejë forcën Partisë Demokratike dhe ta çojë në nivelet e dikurshme të madhështisë.
“Është vërtetë pikë shumë e vështirë, po ju kërkoj ju si themelues i Partisë Demokratike, si një nga njerëzit që e keni udhëhequr këtë forcë, ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një mënyrë për ta kthyer Partinë Demokratike në forcën e saj. Forca jonë është bashkimi, faleminderit doctor”, tha Koti.
Berisha tha se e vetmja zgjidhje është vota e lirë dhe se për këtë arsye sipas tij ka kërkuar që të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së.
“Shqetësimi që shpreh është shumë i drejtë. Nëse më pyet se nga duhet t’ia nisim për të kapërcyer këtë situatë? Nga eksperienca ime ju them se mund t’ia nisim vetëm nga vota. Në ç’kuptim? Nëse kaluam nga humbja në humbje dhe kryetari nuk dha dorëheqjen. Ai mori vendime që nuk duhej t’i merrte. Nuk mund t’i merrte sepse statuti cakton ndryshe. Prandaj thamë të mbledhim Kuvendin. Sepse Kuvendin e kemi forumin më të lartë dhe më të fuqishëm. Në Kuvend të përcaktojmë disa rregulla. Ne i kemi potencialet e bashkimit. Vota ime peshon sa vota e çdokujt prej jush. Unë i besoj këtij mekanizmi. Ky mekanizëm na ka shpëtuar ne. Ne ishim njerëz me mendësi totalitare. Sherret që kishim i kapërcenim me vota. Ndaj e kuptoj shqetësimin tuaj, por të jesh e sigurt se ne synojmë vetëm bashkimin”, tha Berisha./albeu.com