“New York Times” jehonë protestave në Shqipëri: Mijëra shqiptarë pushtojnë rrugët e Tiranës! Revolta studentore kthehet në pakënaqësi masive ndaj qeverisë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Demonstratat e studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë marrë vëmendje ndërkombëtare, mes të tjerash edhe nga gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times”.

Më 17 tetor, gazeta botoi artikullin “Çfarë duhet të dini për protestat e dhunshme në Shqipëri”, ku trajtoi protestat që kanë përfshirë vendin dhe pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë.

Të lidhura

None found

Sipas artikullit të gazetës, kërkesat për arsimin e parashtruara nga studentët janë ndërthurur me pakënaqësi më të gjera të qytetarëve, përfshirë rritjen e kostos së jetesës dhe projektin luksoz turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Lëvizja, e nisur kundër projekteve turistike në zonat bregdetare të mbrojtura, tashmë është shndërruar në protesta me kërkesa sociale dhe politike.

Studentët kundërshtojnë kushtet universitare, kostot e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Përshkallëzimi i protestave është raportuar edhe nga agjencia ndërkombëtare Reuters. Sipas saj, lëvizja studentore është shtrirë edhe jashtë Tiranës dhe protestuesit kërkojnë që Rama të largohet nga pushteti.

Përplasjet mes demonstruesve dhe policisë janë shoqëruar me dhunë. Gjatë tyre janë përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome, si dhe janë dëmtuar prona publike e private.

Kryeministri nuk i ka pranuar thirrjet për dorëheqje, duke thënë se trazirat mund të vënë në rrezik aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Vëmendja e mediave të huaja vjen teksa protestat po kalojnë në një fazë të re. Studentët dhe të rinjtë vazhdojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale në vend.


Shtuar më 25.10.2026 08:24