Basha në Rrogozhinë: Nuk ka rënë PD, por demokracia!

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratët e Rrogozhinës. Gjatë fjalës së tij ai ka krahasuar zgjedhjet e 25 prillit me zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991.

Basha gjithashtu u kërkoi atyre të mos ulnin kokën, por të bëhen bashkë për të rrëzuar regjimin Rama-Domi. Ai tha se nuk ka rënë PD, por demokracia.

“Zgjodhem rrugën më të vështirë sepse ne jemi njerëz të vlerave, ne jemi njerëz të qëndresës. Askush nuk u detyroi ju dhe fëmijët tuaj, bijtë dhe bijat tuaja, gratë dhe burrat e Rrogozhinës të qëndronit fort para atij amalgami, para asaj përzierjeje të krimit , të oligarkise dhe të shtetit të bërë njish me partine. Mund të kishit zgjedhur diçka tjetër, të rrinit në shtepi, të largoheshit, mos të merrnit pjesë në fushatë apo akoma më keq siç ka bërë ndokush, duke shkelur mbi sakrificen dhe gjakun e demokratëve, ta shisnit shpirtin tuaj, por ju zgjodhët të qëndronit sepse këto 30 vite është bërë më e fortë, ka dalë më e madhe nga sfidat pikërisht sepse përbëhet nga njerëzit e vlerave, nga familja e vlerave dhe kështu qëndrojmë fuqishëm edhe më 25 prill para shqiptarëve dhe para gjithë botës.

Ndaj para vlerave ne do vazhdojmë, do ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku sepse 25 prilli i vitit 2021, ishin zgjedhje pa zgjidhje, njësoj si 31 marsi i vitit 1991. Shumë prej të rinjve as nuk e dinë se çfarë është 31 marsi i vitit 1991, por themeluesit dhe qëndresëtarët e dinë fare mirë së si vala e ndryshimit duke përfshirë Europën që përfshiu në fund Shqipërinë pas levizjes së dhjetorit nxiti një shpresë të jashtëzakonshme se regjimi kishte rënë. Ju i dini hilet, qëndresëtarët dhe themeluesit, që përdori regjimi.

Por ju e dini po kështu se ne pavarësisht prej dëshpërimit të ditëve të para, nuk u rrëzuam, nuk ramë përtokë, por u bëmë më të vendosur, u bëmë më të fortë dhe marshuam fuqimisht drejt 92-shit që shënjoi edhe fillimin e demokracisë. Sepse shqiptarët e dine, bota e di që nga rrëzimi i komunizmit tek ardhja e demokracisë , që nga futja në Këshillin e Europës, tek futja në NATO. Që nga heqja e vizave dhe de fakto marrja e statusit të vendit kandidat, zhvillimi ekonomik, punësimi, të gjitha janë veprat të juaja vëllezër dhe motra, demokratëve shqiptarë, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kjo nuk është rastësi, nuk është rastësi që kundërshtari politik që e ka qeverisur këtë vend pothuajse barabartë me në këto 30-vite pluralizëm, nuk ka asnjë arritje, por vetëm të zeza sepse ne jemi njerëz të vlerave, ne jemi njerëz të vizionit, ne jemi njerëz të shqiptarëve, për shqiptarët dhe për Shqipërinë.

Edhe në këtë fushatë kështu dolëm, ata me krimin në krah, ne me njerëz të vlerave, me intelektualë të spikatur. Mos i ulni kokat, kokat do t’ua ulim hajdutëve dhe kriminelëve. Ta çmontojmë këtë regjim duke bërë të mundur që atë që përkohësisht e ndalën shpresën dhe aspiratën, dëshirën dhe vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim ta bëjmë realitet. Sepse me të vërtetë me 25 prill ka rënë demokracia, por nuk kanë rënë shqiptarët, nuk ka rënë Partia Demokratike”./albeu.com


Shtuar 3.06.2021 13:49