Banorët e Senicës bllokojnë punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë: Të shkojë rruga deri në fshatin tonë

Banorët e Senicës kanë bllokuar mëngjesin e sotëm punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë. Banorët kërkojnë nga firma e punimeve ndërtimin e rrugës deri në fshatin e tyre dhe projektin final të hyrje daljes për në fshatin e tyre.

Në rrugë punohet, por banorët kërkojnë asfaltimin e rrugës egzistuese për në fshatin e tyre, si dhe rindërtimin e ujësjellësit pasi pretendojnë se ua ka prishur firma gjatë punimeve.\

‘Ne duam që të rregullohet rruga ekzistuese, si dhe të rregullohet rruga që na çon në fshatin Senicë. Na duhet të çojmë në fshat të paktën ambulancën. Duam patjetër ujësjellësin e fshatit, që të shikohet nga pushteti lokal , pasi depot e ujit janë të hapura, sepse mund të vijnë edhe të hedhin helm aty. Nuk e di pse e neglizhojnë një zonë kaq të madhe. Premtimi që kam marrë nga autoritete është që do të fillojë betonimi i rrugës ekzistuese. I jam drejtues edhe kryeministrit Edi Rama, të nisë një grup pune dhe të shohë situatën ku ndodhemi. Kemi komunikuar me kryetaren e bashkisë, dhe ajo vazhdon me besimin se do ta gjejmë zgjidhjen. Këtu jemi.’- tha banori.

Rruga Kardhiq-Delvinë është pjesë e një ndër akseve më të rëndësishme në vend, atë të Tiranë-Sarandë. Ndërtimi i kësaj rruge është pjesë e projektit të rëndësishëm infrastrukturor që do të shkurtojë distancën Tiranë-Sarandë me 3-4 orë.


Shtuar 22.07.2021 10:35