Kreu i Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS”, Ervin Salianji ka refuzuar kërkesën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla që mbledhja gjatë dëshmisë së tij të zhvillohet me dyer të mbyllura.
“Nuk jemi në kushtet kur komisioni do shqyrtojë ndonjë dokument shtetëror. Dokumentat jane administruar dhe nuk ka sekret”.
Seanca e sotme në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS”, ku është dakordësuar më herët të dëshmojnë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, është kërkuar të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Ministri i Brendshëm i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).
Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.
Por kërkesa nuk është pranuar nga kryetari i komisionit Ervin Salianji. Refuzimi i tij për të hedhur për votim kërkesën e Ballës ka nxitur debate.
“Shpallim në kërkim Ballën, punonjësit e gardës ta gjejnë se ku është fshehur.”, tha Salianji.
Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit, Toni Gogu iu drejtua Salianjit me tone të larta duke i kërkuar të hedhë në votim kërkesën e Ballës.
“Ky komision është vend punë e jo spektakli. Spektakli i këtij komisioni janë vendimet e komisionit jo sa herë del ti në televizor. Hidh në votim kërkesën siç të detyron ligji sepse nuk e mbar ti pushtetin e komisionit. Te je një i parë në mes të barabartëve, drejton mbledhjet e këtij komisioni e thërret mbledhjen e këtij komisioni. Për kërkesën e Ballës duhet të informosh komisionin”, tha ai./albeu.com