Australia miraton paketën e re prej 110 milionë dollarësh, dërgon automjete të blinduara në Ukrainë

Qeveria e Australisë po përgatitet të dërgojë një paketë të re me pajisje ushtarake prej 110 milionë dollarësh ( rreth 67.5 milionë euro) në Ukrainë, duke përfshirë rreth 70 automjete të blinduara, për të ndihmuar ushtrinë ukrainase të mbrohet kundër një pushtimi nga Rusia, ka njoftuar kryeministri i vendit, Anthony Albanese.

Me paketën e re të pajisjeve, ndihma totale e Australisë arrin 790 milionë dollarë australianë.

Albanese siguroi se ndihma shtesë do të “bënte një ndryshim të vërtetë”.

Ai theksoi se shpallja e ndihmës së re nuk lidhet me rebelimin e mercenarëve të Wagner-it.

“Ne kemi punuar për këtë propozim, i cili do të diskutohet sot në kabinet, prej disa kohësh ”, shpjegoi kryeministri australian.

Australia është ndër vendet që ka ofruar më shumë ndihmë për Ukrainën përtej anëtarëve të NATO-s, duke përfshirë municione, automjete të blinduara Bushmaster dhe ndaloi gjithashtu eksportet e aluminit dhe artikujve të tjerë në Rusi dhe vendosi sanksione për rreth 1000 individë dhe subjekte ruse.

Gjithashtu, për të stimuluar ekonominë e Ukrainës, Anthony Albanese tha se importet e produkteve të ndryshme nga Ukraina do të mbeten pa doganë edhe për 12 muaj të tjerë.

Në këtë paketë do të përfshihen 28 transportues të blinduar (APV) të tipit M113, 14 automjete të operacioneve speciale, 28 kamionë të përmasave mesatare, etj,./Albeu.com/


Shtuar 26.06.2023 07:35