Atentati në Tiranë/ Zbulohen dy pistat e hetimit për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçit

Biznesmeni i ndërtimit Eduart Reçi, i cili u qëllua me një plumb në kokë dhe ndërroi jetë më pas në ambientet e Spitalit të Traumës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 mbrëmjes së djeshme në kryeqytet.

52-vjeçari Eduart Reçi, sapo ishte dalë nga banesa e tij dhe në sheshpushimin e pallatit u qëllua me një plumb në kokë.

Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës dhe ndërroi jetë për shkak të gjendjes së rënduar, shkruan A2 CNN. 52-vjeçari me origjinë nga Dibra dhe prej shumë vitesh jetonte në Tiranë, nuk është person me precedent penalë.

Për të identifikuar autorët, policia sekuestroi një sërë kamerash sigurie në vendin e ngjarjes dhe në zonën përreth. Por për shkak të errësirës, nuk vërehet asnjë lëvizje personash.

Në pamje dëgjohet një e shtënë dhe menjëherë 52-vjeçari bie përdhe pasi plumbi e kap në kokë. Kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të shquajnë as lëvizjet e autorit, ç`ka dyshohet që Reçi mund të jetë qëlluar nga lartësia.

Eduart Reçi, prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë që më herët ka qenë drejtor në institucionin e SHISH. Policia ka ende të paqartë se nga kanë qëlluar autorët, pasi edhe në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë.

Grupi hetimor u rikthye sërish sot në mëngjes në vendngjarje, për të siguruar ndonjë provë të vlefshme.

Si pistë për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, policia i ka përqendruar hetimet në dy raste.

E para në atë të ndonjë konflikti të mundshëm për çështje pronësie, dhe pista e dytë ajo e ndonjë konflikti në biznes.


Shtuar 14.11.2024 15:34