Asnjë gjurmë prej dy muajsh, zhdukja e mistershme e biznesmenit të njohur

Biznesmeni i njohur nga Kosova Bedri Rexhepi, është zhdukur dhe prej dy muajsh nuk dihet më asgjë për të. Vëllai i tij, Adnan Rexhepi, ka deklaruar se familja ende nuk ka asnjë informatë. Sipas tij, Prokuroria nuk e ka njoftuar familjen në lidhje me zhvillimin e hetimeve për rastin e zhdukjes së Bedriut.

“Edhe nja 7-8 ditë bëhen dy muaj, por jo ende asgjë s’kemi. Po presim mos po na lajmëron diçka policia por ende asgjë konkrete, hetime, hetime, edhe kurrgjë. Atij i është vazhduar paraburgimi edhe dy muaj. S’na ka lajmëruar prokuroria asgjë. Kemi fol me prokuroren, por s’na ka lajmëruar më asgjë hiç, s’kemi asnjë informatë, as a e kanë intervistuar as asgjë. Për momentin s’kemi prej askujt informata. Po presim,”- ka deklaruar Adnani.

Express ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës më 28 prill dhe më 24 maj, por në asnjërën prej këtyre kërkesave nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit. Po ashtu, Express të hënën ka pyetur edhe policinë lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje. Në lidhje me këtë ngjrje është arrestuar Jeton Vllasaliu.

Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin e datës 22 prill për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Jeton Vllasaliu, pati deklaruar se ekziston dyshimi se Vllasaliu është i implikuar në rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

“I pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular,”- thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Bedri Rezhepi shtë zhdukur mbrëmjen e atës 8 prill dhe që nga ai moment nuk dihet më asgjë për fatin e tij. Të nesërmen, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, por jo ai. Nga nata kur u zhduk, telefoni i Bedriut rezulton i fikur.

Rexhepi kishte në pronësi një biznes “rent a car”, në të cilin ishte klient edhe i dyshuari Jeton Vllasaliu. Familjarët kanë deklaruar se Bedri Rezhepi kishte një shumë parash me vete, natën kur ishte zhdukur. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një grabitje të shkuar keq.


Shtuar 27.05.2021 08:39