Jasir Asani ka qenë mungesa e madhe e Partizanit në ndeshjen kundër Vllaznisë dhe për shumëkënd, një nga arsyet pse sulmi i të kuqve çaloi në këtë sfidë. Sulmuesi mungonte se ishte i pezulluar për kartonë të verdhë dhe ka ndjekur ndeshjen nga tribuna, nga ku pa i dëshpëruar se si shokët e skuadrës dolën të mundur nga fusha e lojës prej penalltisë së dhënë nga Enea Jorgji.
Sulmuesi në fund të ndeshjes shpërtheu në lot në tribunën e “Air Albania”, natyrshëm i zhgënjyer se si po mbyllej ky sezon kur titulli i dytë kampion në tre vite ishte shumë afër. Por mbi të gjitha ishte dëshpërimi për mënyrën se si Partizani u dënua nga vendimi i gjyqtarit Enea Jorgji, një ndjesi të cilën ai e ka shpjeguar në rrjetet sociale, duke postuar foton e tij të përlotur në fund të sfidës.
“Edhe nëse nuk e merituam të fitonim sipas disa “specialistëve”. Edhe nëse nuk bëmë ndeshjen më të mirë të sezonit, ju kurrë nuk mund të talleni me djersën tonë. Nuk mund të vijë lloj-lloj ordineri të prishë ndeshjen dhe të prishë ëndrrën tonë”, ishte postimi i Asanit për ndeshjen që vulosi fatin e titullit kampion për Partizanin.